Bumçi: PD-ja do të krijojë strukturë të re organizative
Zëdhënësi dhe deputeti i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, u shpreh ditën e djeshme se Partia Demokratike do të adaptojë një sistem të ri organizativ. Ai u shpreh se tashmë Partia Demokratike nuk do të ketë 100 kryetarë lokalë, por vetëm 12 të tillë. Sipas Bumçit, ky ndryshim në organizimin e brendshëm të PD-së po bëhet me qëllim për t’u përshtatur më mirë me sistemin zgjedhor, i cili është proporcional-rajonal dhe 12 qarqe. Pikërisht çdo qark do të ketë kryetar e tij, i zgjedhur nga anëtarët e partisë sipas parimit “një anëtar, një votë”. Bumçi tha më tej se ky ndryshim në strukturë pritet të bashkojë dhe unifikojë të gjitha burimet njerëzore në çdo qark, duke bërë të mundur që çdo njësi të nxjerrë dhe propozojë emra sa më të mirë në listën për deputetë. Nga ana organizative, krerët e PD-së e kanë para këtë ndryshim në strukturë si efikas dhe më të thjeshtë. Ndryshimi i kësaj strukture në fakt për PD-në bëhet për herë të parë që nga themelimi i saj. Zgjedhjet për rifreskimin e PD-së kanë nisur, por ende nuk jepet një afat konkret për përfundimin e tyre. Këto zgjedhje brenda partisë pritet të ndikohen drejtpërdrejt edhe nga organizimi i ri administrativ për zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s. Deputeti Bumçi tha dje se procesi i zgjedhjeve brenda partisë nuk mund të shtyhet përtej këtij viti, për të mos mbivendosur dy fushata elektorale. Sipas tij, duhet që procesi i zgjedhjeve në parti të mbyllet sa më shpejt, në mënyrë që strukturat të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme.