E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët, gati kriteret e kompensimit fizik

Brenda këtij muaji pritet që qeveria të miratojë kriteret e kompensimit fizik për ish-pronarët. Me miratimin e fondit të parë fizik, një grup ekspertësh në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, janë duke diskutuar kriteret për kompensimin fizik. Aktualisht po diskutohen disa variante, por burime nga ky grup pune bëjnë të ditur se është rënë dakord për dy kriteret e para. Ish-pronarët e parë të cilët kanë aplikuar të parët për kompensim, por për shkak të sipërfaqes dhe vendndodhjes së pronës së shpronësuar nuk kanë përfituar kompensim, do të jenë të parët në listë për t’u kompensuar nga fondi fizik. Kriteri i dytë që është miratuar parimisht është që nga të parët që do të përfitojnë kompensim fizik do të jenë familjet që iu është njohur sipërfaqe e madhe toke. Në kriter i tillë pritet të zbatohet edhe për pronat në bregdet, ku përfituesit e parë do të jetë ish-pronarët, të cilët janë dëmtuar më shumë, pra që kanë pasur pronë të shpronësuar më shumë se të tjerët.

Aktualisht qeveria i ka hapur rrugë procesit të kompensimit fizik me miratimin e fondit të parë. Ministria e Ekonomisë ka dërguar në qeveri të gjithë fondin e parë, i cili përbëhet nga toka bujqësore, livadhe dhe kullota, si dhe objekte shtetërore që nuk janë në përdorim. Me hapjen e këtij fondi, pritet të miratohet edhe procedura për ndarjen e këtyre pasurive për ish-pronarët. Këtë muaj pritet të ndahet edhe kompensimi financiar prej 5 milionë dollarësh për ish-pronarët deri në 200 metra truall. Fondi i krijuar nga qeveria do të administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila do të hartojë edhe metodikën për ndarjen e tij. Çdo pasuri e dhënë nga kjo agjenci do të verifikohet nga Ministria e Drejtësisë, e cila do të dërgojë edhe vendimin për t’u miratuar nga Këshilli i Ministrave.

AKKP-ja do të ketë në një fond me sipërfaqe 17.335 hektarë tokë bujqësore të ish-NB-ve dhe institucioneve kërkimore të Ministrisë së Bujqësisë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pasi bën verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit për fondin e tokës, shikon se kur ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar, si dhe ku nuk është kryer regjistrimi fillestar. Pas verifikimit përfundimtar të bërë nga AKKP-ja, pronat të cilat rezultojnë me njohje apo kthim pronësie, zbriten nga fondi i mësipërm. Sipas vendimit të qeverisë, në fondin e kompensimit fizik, AKKP-ja do të ketë një fond me sipërfaqe prej 72.891 hektarë pyje dhe kullota, i cili ka kaluar ose është në procedurën e kalimit në përdorim të organeve të pushtetit vendor, deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pasi bën verifikimin përfundimtar të pronësisë së këtyre pyjeve dhe kullotave, e përdor atë për kompensimin e ish-pronarëve, sipas mënyrës që përcakton ligji. Në rast se pas verifikimit përfundimtar të bërë nga AKKP-ja, pronat të cilat rezultojnë me njohje apo kthim pronësie, zbriten nga fondi i mësipërm. Vendimi i qeverisë ka vendosur në ngarkim të Agjencisë së Pronave edhe 29 objekte në të gjithë vendin, të cilat do të përdoren për kompensim të ish-pronarëve. Këto objekte janë jofunksionale dhe jashtë ankandeve të Ministrisë së Financave për t’u shitur.

Në pritje të shtimit të fondit fizik

Grupi i punës ndërministror do të dërgojë në Këshillin e Ministrave troje dhe objekte të reja për të shtuar më tej fondi e kompensimit fizik për ish-pronarët. Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë do të dërgojë se shpejti në qeveri një fond prej 17 mijë hektarësh tokë bujqësore, e cila do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve. Burime pranë kësaj ministrie shprehen se ky fond përbëhet nga toka bujqësore që aktualisht nuk janë në përdorim. Këshilli i Ministrave pritet që të miratojë këtë fond duke ia kaluar në varësi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila më pas do t’i përdorë për kompensimin e ish-pronarëve. Fondi fizik pritet që të rritet më tej. Aktualisht, qeveria i ka vënë në dispozicion AKKP-së një fond prej gati 71 mijë hektarësh tokë për kompensim. Nga ana tjetër, ligji për verifikimin e titujve të pronësisë pritet që të rrisë fondin për kompensimin e ish-pronarëve. Tokat, të cilat janë përfituar në mënyrë të pandershme, do të merren sërish nga shteti dhe më pas ato do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Ekspertët bëjnë të ditur se për kompensimin e ish-pronarëve nuk do të jenë vetëm pronat në administrimin e Ministrisë së Bujqësisë, por do të ketë të dhëna dhe nga Ministria e Mbrojtjes, Transporteve, Ekonomisë etj. Sipas të dhënave, tokat e refuzuara i janë nënshtruar një kontrolli në 32 rrethe për të përcaktuar se cilat toka janë më të përshtatshme për “Shqipërinë 1 euro” dhe ish-pronarët. Tokat e refuzuara zënë një hapësirë prej 111 mijë hektarësh, nga të cilat specialistët kanë evidentuar prej këtyre 25 mijë hektarë si më të përshtatshmet për të investuar nga investitorët e huaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›