E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallku dhe Curri,në fokus gjerman

Ndeshja midis Polonisë dhe Shqipërisë në Rojtlingen do të jetë një rast i artë për ata lojtarë kuqezinj që synojnë transferimin në prag të sezonit të ri. 

Takimi do të ndiqet me interes jo vetëm nga trajneri i Kombëtares gjermane, Joahim Lëv, pasi dy skuadrat janë në të njëjtin grup në Euro 2008, por edhe nga menaxherë të shumtë skuadrash. Polonia është një treg i mirë për klubet gjermane, por nën të njëjtën lupë do të jenë edhe kuqezinjtë që do të zbresin në fushë. Këtë e pohon edhe menaxheri shqiptar i FIFA-s, Rudi Vata, i cili thotë se “futbollistët tanë kanë një shans të madh, të cilin duhet ta shfrytëzojnë më së miri”. Ish-kapiteni do të jetë i pranishëm në Rojtlingen, ashtu si dhe ish-mesfushori i majtë, Edvin Murati, edhe ky tani në rolin e menaxherit të lojtarëve.

Dallku e Curri
Dy lojtarë që do të jenë nën vëmendjen e emisarëve gjermanë do të jenë Armend Dallku e Debatik Curri. E interesuar për dyshen kuqezi, e cila luan me Vorskla Poltava në Ukrainë, është Herta e Berlinit. Të janë ende në kontratë me klubin ukrainas, por Vata thotë se berlinezët do të ishin të gatshëm të paguanin shumën e lirimit prej një milion dollarësh në rast se të dy do të shfaqen bindës në takimin kundër Polonisë. “Vorskla kërkon një milion dollarë për të zgjidhur kontratat me ta. Nuk është shifër e vogël, por njëkohësisht nuk është e papërballueshme dhe Herta mund ta paguajë nëse Curri e Dallku bindin. Është një rast i mirë për ta, ashtu si për gjithë të tjerët”, shpjegon ish-kapiteni i Shqipërisë.

Kuqezinjtë
“e vegjël”
Rudi Vata ka ndjekur nga afër edhe ndeshjen e Kombëtares U-19 në ndeshjen kundër Gjermanisë, humbur 0-2, luajtur në Sllovaki. Duke komentuar si ish-futbollist, Vata thotë se kuqezinjtë “e vegjël” i respektuan më tepër seç duhej gjermanët. “Gjermani mund të ketë futboll më të zhvilluar se Shqipëria, por kjo nuk është arsye për t’u bërë respekte”, thotë Vata. “Skuadra jonë u mbyll në mbrojtje, ndërkohë

që i pashë gjermanët kundër Sllovakisë dhe vura re se ata kishin të meta, të cilat ne nuk i shfrytëzuam. Nga loja e skuadrës sonë m’u kujtua ajo kohë kur Shqipëria luante me qëllim për të mos pësuar shumë gola, gjë që s’kishte pse ta bënte, duhej më tepër guxim në lojë”.

Mbresëlënësi Hoxha
“Mbresëlënës ishte portieri Sulejman Hoxha, aq sa u habita se si nuk e kisha vënë re më parë këtë portier”, thotë ish-futbollisti për portierin e Erzenit të Shijakut. “Ishte i shkëlqyer, do të thosha i vetmi që bëri figurë të mirë në atë ndeshje. Nëse do të ruajë formën dhe do t’i përkushtohet seriozisht këtij profesioni, e ardhmja do të jetë e shkëlqyer për këtë djalë, për këtë ju siguroj”.

Emocionet e Seminës
Klodian Semina ishte një nga lojtarët prej të cilëve Vata priste më shumë në ndeshjen me Gjermaninë. “Ai ka luajtur si titullar me Belasicën në Bullgari dhe ka shkëlqyer në shumë ndeshje”, tregon Vata. “Kundër Gjermanisë nuk arriti të dilte në lojën e tij, ndoshta edhe për shkak se e gjithë skuadra ishte e ndrojtur në lojë. Ndoshta e përjetoi me shumë emocion faktin që aty kishte të dërguar nga Bajer Leverkusen, Hamburg dhe Herta që e shikonin dhe kjo nuk e la të shprehej lirshëm në lojë”.

Han, i befasuar nga Polonia
Trajneri Ari Han i ka nxjerrë në stërvitje dje lojtarët e tij, të grumbulluar në Rojtlingen, ndryshe nga plani fillestar, për t’i lënë pushim. Shqipëria do të ndeshet nesër në 20:30 me Poloninë dhe holandezi dëshiron një paraqitje sa më të mirë në debutimin e tij në krye të kuqezinjve. Polonia dhe Shqipëria kanë mundur në ndeshjet e kontrollin skuadrën zvicerane Shafhauzen dhe Han ka mbetur i befasuar nga paraqitja e mirë e polakëve, pavarësisht faktit se fitorja e tyre ishte minimale, 1-0, ndërsa kuqezinjtë fituan 3-1. “Rezultatet që të dyja skuadrat kanë arritur kundër Shafhauzenit nuk kanë asnjë rëndësi”, thotë njëri nga anëtarët e delegacionit kuqezi në Rojtlingen. “Trajneri ishte impresionuar nga paraqitja tepër e mirë e polakëve dhe i konsideron ata si një skuadër kompakte dhe shumë e organizuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›