E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euroqoka!

Rovena Rrozhani 

Në kohën kur në qiell ngrihen avionë moderne me pishina dhe palestra brenda tyre, të bësh festivale si Eurosong është si të jetosh jashtë kohës. Eshtë fjala e këngëtarit të njohur italian Masimo Ranieri. Kur e tha? Një vit më parë kur përgatiste Traviatën e tij moderne për skenën shqiptare dhe vetëm pak javë para se Shqipëria të drejtonte sytë për nga Eurosong i radhës. Për egon shqiptare, që aq shumë e priti, përfoli dhe ëndërroi Eurosong derisa më në fund ia doli mbanë, një përcaktim i tillë është një kafshatë që nuk kapërdihet. Dreqi ta hajë, marrim pjesë në një garë me shtetet e Evropës dhe politikisht jemi ende larg saj, kështu që ky hap i vogël i artit drejt kontinentit ku edhe jemi edhe nuk jemi është i rëndësishëm për ne. Ndërsa një italian do të qeshte me egon tonë dhe do të aprovonte thënien e artistit bashkëkombës. Sepse Italia më mirë se kushdo tjetër e di mirë historinë e festivalit evropian meqë i është dhënë rasti që në fillim ta shkruajë me pjesëmarrjet e veta. Por ndonëse i numërojmë me gishta pjesëmarrjet tona në Eurosong gjithnjë e më shumë po bëhemi të ndërgjegjshëm për formalitetin e këtij aktiviteti. Një sy realist arrin të dallojë pa u sforcuar degradimin e festivalit që po preferon kaq shumë kostumin e diplomatit. Për çdo vit kush harron, mund të shikojë e të kujtojë sesi familjet evropiane bëjnë qoka e karshillëqe me njëra-tjetrën. Pas çdo kënge që prezantohet, ndihet, kuptohet dhe shihet një nacionalizëm i kotë, i ngjashëm me një demonstrim force në festa pavarësish, por aspak zbavitëse. Me të mbaruar konkurrimi fillon procesi i çmendur i televotimit. Kombet e një “barku” nuk e tradhtojnë gjakun e tyre dhe votojnë bindshëm për njëri-tjetrin.  Më të veçuarit janë ata të “barkut” Perëndimor, ata që nuk kanë dëshirë të përfshihen në tema nacionalizmash. Votojnë për njëri- tjetrin por janë shumë larg barkut lindor dhe për pasojë zënë gjithmonë vendet e fundit. Aq të fundit dhe të lodhura ndihen kombet e “barkut” Perëndimor sa një pjesë e tyre e kanë fshirë fare nga axhenda Eurosongun.  Pas gjithë asaj parade flamujsh, spektakli që ngrihet në këmbë me shumë propagandë të mbetet një shije e hidhur, që të krijon përshtypjen se ke qenë një vizitor i pafat i panairit të kotësive. E në fakt nuk është një panair vetëm me kotësi. Se muzika është aty, e mbytur e nënshtruar ndaj të gjithë fqinjëve  së të gjitha barqeve duke qëndruar gjithnjë e fundit. Dikur ishte e para ajo, por sot jo më. Dhe kështu do të jetë përsa kohë të mos i pritet rruga televotimit që i ngjan qokave me qese karamelesh dhe çokollatash që fqinjët bëjnë tek njëri-tjetri.  Dhe përsa kohë të jetë një formalitet Eurosong nuk ka pse të shihet nga artistët tanë si një vend i shenjtë, përveçse si një mundësi për të bërë edhe në qokat tona, përpos të kënduarit natyrisht. Sepse në Eurosong i pëlqejnë më shumë Euroqokat!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›