Berisha ngushëllon Obamën

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i dërgoi një telegram presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në të cilin i shprehu atij ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-sekretari amerikan të shtetit, Warren Cristopher, i cili ndërroi jetë në moshën 85 vjeçare.
Ndërmjetësuesi i paqes në Bosnjë dhe negociatori për lirimin e pengjeve amerikane në Iran ka vdekur në një spital të Kalifornisë. Ai vuante nga komplikimet në veshka.
Në telegramin e tij, Berisha theksoi “se me keqardhje te thelle ka mësuar per ndarjen nga jeta te politikanit dhe diplomatit te shquar amerikan por edhe mikut të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, ish-sekretarit te shtetit Warren Christopher”.
“Më lejoni që në këtë çast dhimbjeje në radhë të parë për familjarët e Warren Christopher por edhe për ju, qeverinë tuaj dhe popullin mik amerikan t’ju shpreh, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e këtij personaliteti e miku të shquar”, u theksua në telegramin e Berishës.