E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ngushëllon deputetët:Mbeten bashkëpunëtorët e mi

 

Bledar Hoti

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë prezantimit të 140 kandidatëve garanton deputetët e lënë jashtë listës se do të jenë bashkëpunëtorët e tij në të ardhmen. Të mbledhur në hotel “Sheraton”, kryetari i PD-së ka bërë prezantimin e çdo kandidati, duke dhënë edhe vlerësimet për ta. Gjithashtu pas këtij prezantimi është zhvilluar një takim i veçantë, ku janë ndarë zonat e influencës mes kandidatëve për të realizuar mbledhjen e sa më shumë votave. Një ndër kërkesat që Berisha mësohet se ka paraqitur në këtë takim ka qenë që të punojmë sa më shumë me militantët e anëtarët e PD-së, për t’u siguruar atyre mbështetjen gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar. Gjithashtu, sipas burimeve, mësohet se u ka kërkuar që të sensbilizojnë në zonat e tyre që shtetasit të aplikojnë për pajisjen me kartat e identitetit.
Apeli për ish-deputetët
Berisha i bëri thirrje atyre deputetëve që nuk i ka futur në listë, ta mirëkuptojnë atë në vendimin që ka marrë. Lideri i demokratëve tha se “dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë të gjithë deputetëve të PD-së që dëshmuan luajalitet ndaj programit të PD-së gjatë legjislaturës që shkoi, të falënderoj edhe ata të cilët nuk u përfshinë në këtë listë, t’i siguroj se unë mbetem mirënjohës për kontributin e gjithsecilit. Dua të theksoj gjithashtu se për një listë prej 140 vendesh, ju garantoj se me të drejtë, ka pasur së paku 1400 pretendentë”. “Është bërë përpjekje që kjo të jetë lista më përfaqësuese, por ata duhet ta dinë mirë se një nga bindjet e mia është se jashtë teorisë së gabimit askush nuk del, kështu që duke kërkuar mirëkuptimin e tyre, u garantoj vlerësimin tim të madh, si të ambicieve të tyre, ashtu edhe përkushtimit dhe kontributit të tyre. Llogaris të vazhdoj me ta bashkëpunimin e frytshëm”, theksoi Berisha. Ndërsa ka përmendur se një ndër vendimet e tij të para do të jetë për heqjen e privilegjeve të deputetëve, shtetarëve, duke nisur nga makinat dhe shoferët. Ndërsa ka theksuar se do të marrë vendime më të mëdha në dobi të shtresave sociale. Programin e paraqitur dy ditë më parë, Berisha e konsideroi të mundshëm, të vështirë, por absolutisht të realizueshëm. Për mëse një orë, Berisha prezantoi të gjithë kandidatët për deputetët, duke e nisur me qarkun e Tiranës, Durrësit dhe për ta përfunduar me Kukësin dhe Dibrën. Prezantimin e parë, Berisha e nisi me prezantimin e Rajmonda Bulkun, duke theksuar se “ylli i skenës që shkëlqen nuk ka nevojë për ta prezantuar, është besnike e ideve të saj, përfaqëson Tiranën si bijë e saj”. E ka nisur me prezantimin e një femre e ka mbyllur po me femër prezantimin, me kandidaten për zonën e Dibrës, Dhurata Çupi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›