E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nis fushatën, ndan leje legalizimi dhe sulmon Ramën

“Kryetari i Bashkisë bën korrupsion me lejet e ndërtimit”. Premtohen dhe 12 mijë leje të tjera legalizimi në prag të zgjedhjeve

Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha është shfaqur dje për herë të parë në publik pas skandalit në të cilin është përfshirë një ish-ministër i kabinetit të tij qeveritar. Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Agjencia e Legalizimeve, kryeministri Berisha ka shpërndarë në shenjë simbolike rreth 60 leje legalizimi, ndërsa ka sulmuar ashpër kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Por kreu i qeverisë nuk ka pranuar t’i përgjigjet interesimit të medias për shkarkimin e ministrit Pango. Berisha ka zgjedhur të heshtë për këtë skandal, ndërkohë që për të përmirësuar imazhin e qeverisë ka zgjedhur të shpërndajë leje legalizimi për qytetarët që kanë ndërtuar objekte pa leje.
Sulmi
Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet, ka vlerësuar punën e bërë nga ALUIZNI, duke e cilësuar atë të suksesshme në drejtim të realizimit të reformës së pronësisë. Por kryeministri Berisha është ndalur gjatë në veprimtarinë e punës së kryebashkiakut Rama, duke e akuzuar atë për korrupsion me lejet e ndërtimit dhe se po mban peng qëllimisht planin urbanistik të Tiranës. “Imagjinoni qytetin e Tiranës në të cilin 10 mijë apartamente shtesa mbaheshin peng nga Bashkia e qytetit për t’u vjelë dhe për t’u mjelë dhe për asgjë tjetër. Është e lehtë të qortosh dhe unë nuk jam kundër qortimit të komunave përreth, por nuk ke gojë të flasësh kur mban peng qendrën, kur në çdo rrugë dhe në çdo rrugicë ke toleruar dhe ke krijuar informalitetin, dhe kjo vetëm për ta vjelë dhe për ta mjelë, për asgjë tjetër. Çfarë të pengonte të jepje lejen, çfarë të pengonte të regjistroje shtesën e pallatit me leje? Pra fenomeni ka vuajtur shumë edhe nga kanceri i korrupsionit. Në këtë aspekt Tirana është modeli më i shëmtuar, jo vetëm që nuk legalizohen shtesat e pallateve, por sot nuk dorëzohet Plani Urbanistik i kryeqytetit, i financuar tërësisht nga Banka Botërore. Pse nuk dorëzohet plani? Nuk dorëzohet plani se llokmat e tij duhet të gopësiten dhe të ndahen në klane qartësisht të lidhura kokë e këmbë me kryetarin e Bashkisë”, - është shprehur Berisha. Kryeministri u bëri thirrje dhe shoqatave të ndërtuese që të reagojnë, në mënyrë që lejet e ndërtimit të mos bëhen monopol i disa kompanive. “Zotërinj ndërtues, duhet të ngrini zërin tuaj, nuk duhet të kurboheni kaq lehtë sepse nuk jeni bërë ndërtues as nga Sali Berisha, as nga Edi Rama. Jeni bërë ndërtues me gjeninë tuaj krijuese dhe nuk duhet të pranoni ju që për tri kompani të mbahet peng Plani Urbanistik i qytetit tuaj”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Legalizimet
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit të Zonave Informale, Shaban Memia, ka bërë një ekspoze të punës së bërë nga kjo agjenci përgjatë katër viteve të funksionimit të saj. Memia bëri të ditur se janë plotësuar të gjithë komponentët e domosdoshëm ligjorë dhe është bërë e mundur pajisja e pronarëve të objekteve pa leje me lejen e legalizimit për 4504 pasuri informale. “Është përgatitur dokumentacioni teknik dhe janë bërë përllogaritjet mbi detyrimet financiare për 12 297 objekte informale, një pjesë e poseduesve të të cilëve kanë nisur shlyerjen e detyrimeve”, - vijoi Memia. Sipas tij, duke qenë se këto objekte i ndan nga pajisja me lejen e legalizimit vetëm pagesa e detyrimeve financiare, ALUIZNI ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për të ndërgjegjësuar poseduesit e ndërtimeve mbi rëndësinë dhe përfitimet e procesit të legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të objekteve pa leje. “Për 6620 apartamente dhe ambiente social-ekonomike informale të ngritura në ndërtime pa leje është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, janë shlyer nga poseduesit e tyre detyrimet financiare të procesit dhe është e mundur pajisja me lejen e legalizimit”, - tha ai. Memia theksoi se për rreth 6674 shtesa informale të ngritura në objekte të ndërtuara para vitit 1993, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm dhe poseduesit e tyre janë në fazën e shlyerjes së detyrimeve financiare. Por kreu i ALUIZNI-t theksoi gjithashtu se janë identifikuar në terren rreth 10 mijë pasuri informale të ngritura në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në zonat për të cilat janë miratuar studime urbanistike, apo në territoret që gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore. Sipas tij, nisur nga numri i përgjithshëm i objekteve informale të vetëdeklaruara, administrata e ALUIZNI-t ka përfunduar dokumentacionin e nevojshëm për rreth 70% të pasurive informale të vetëdeklaruara. Ky kontingjent pret legalizimin në varësi të pagesës së detyrimeve financiare nga poseduesit e pasurive.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›