Qeveria miraton vendimin. Kriteret për hapjen dhe mbylljen e një spitali
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme një vendim që përcakton kriteret për hapjen dhe mbylljen e e një spitali. Në këtë vendim parashikohet se hapja dhe mbyllja e spitaleve në Shqipëri do të bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë. Vlerësimi i përmbushjes së kritereve për hapjen e spitaleve jopublike bëhet nga Komisioni i Licencave, në Ministrinë e Shëndetësisë. Në bazë të këtij vendimi, personat juridikë, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë në fushën e shërbimit spitalor jopublik, duhet që:
të kenë parashikuar në aktin e themelimit dhe në statut objektin e veprimtarisë për ofrimin e shërbimeve mjekësore, spitalore, jopublike, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me marrëveshjet, për shërbimet shëndetësore transkufitare; institucionet spitalore jopublike të tyre duhet t’i kenë në harmonizim me planin spitalor shtetëror dhe vendor si dhe të kenë një plan të shpërndarjes dhe ofrimit të shërbimeve të spitalit, i cili të përmbajë numrin dhe llojet e shërbimeve që do të ofrohen. Ministri i Shëndetësisë jep miratimin paraprak të ndërtimit të spitaleve përpara zhvillimit të procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit, duke vlerësuar kriteret e përgjithshme të licencimit të tyre.
Edhe për mbylljen e një spitali në bazë të vendimit të miratuar dje nga qeveria vendos ministri i Shëndetësisë, i cili shfuqizon licencën e spitalit dhe urdhëron mbylljen e tij. Ministri urdhëron mbylljen e spitalit kur vërtetohet mosplotësimi i kushteve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë spitalore, sipas kritereve të përcaktuara në licencë; kur shkelen ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi si dhe në rastet kur spitali nuk ushtron veprimtarinë për një vit nga data e miratimit të licencës. Ministria e Shëndetësisë ka të drejtën dhe detyrën të inspektojë e të marrë masat përkatëse, në çdo çast, për të vërtetuar nëse subjekti, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, ka respektuar apo jo kriteret e përcaktuara në aktin e licencës dhe në legjislacionin në fuqi.
7 Mars 2009