E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morali i apologjisë së z. Pango



Historia e z. Pango e ka tejkaluar tashmë fabulën e saj rozë, ndonëse ka shumë faktorë që janë të interesuar dhe po përpiqen që ajo të mbetet e tillë. Pjesa më e madhe, që duan ta shohin si një ngjarje donzhuaneske dhe zotin Pango si të zhuritur dhe të djegur pas femrave, janë kryesisht pjesëtarët e familjes së tij politike. Publikimi i bisedave të ministrit me vajzat, debatet e dy ditëve të fundit dhe rrëfimi në orët e vona nga vetë protagonisti i skandalit, po i shtojnë “telenovelës” karrema të tjerë, të cilët të çojnë te një pjesë e pazllit (puzzle-t) të vetë sistemit që është ngritur deri tani.
Deri në momentin e publikimit të videos, Pango ka qenë për qeverinë “ylli” i menaxhimit të sektorit të turizmit të kësaj qeverie. Sapo në ekranin e “Top”-it u shfaq videoja bombë, shefi i tij, “brenda 5 minutave”, pa pranuar asnjë lloj sqarimi, e shkarkoi nga detyra, veprim që të lë të kuptosh se ai ishte i mirinformuar për ekzistencën dhe përmbajtjen e saj. Shfaqja e sekuencave filmike te “Fiks”-i vetëm sa i dha justifikimin Berishës që të flakë “kopilin nga barku i tij”, t’u japë fund raporteve personale dhe institucionale me mikun dhe vartësin e tij, duke heshtur para publikut dhe zgjedhësve të tij. Brenda sojit, fushatën e lëçitjes publike të figurës së z. Pango e ndërmorën deputetë, ministra, funksionarë të lartë deri te kryeparlamentarja Topalli. E gjitha kjo të kujton aktin pas skenës së krimit, ku ideatori përpiqet të zhdukë gjurmët dhe të fshehë doracin.
Në apologjinë e pjesshme dhe irracionale të zotit Pango mesnatën e së enjtes mund të kuptoje fare qartë shumë gjëra, jo vetëm për zotin Pango. Aty dolën në skenë shumë fakte për mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe qeveriset vendi; për klientelizmin, favorizmin, konfliktin e interesit, abuzivizmin, shpërdorimin e pushtetit, mbrojtjen e së keqes dhe heshtjen ndaj saj, në të mirë të klanit dhe familjes, dhe shumë e shumë gjëra të tjera, të cilat janë pjesë e praktikës së deritanishme; me historitë e skandaleve radhazi të kësaj qeverie gjatë këtyre viteve, duke nisur me dosjen “Durrës-Kukës” e duke përfunduar me “Gërdecin”, “Fazlliçin” etj... Por, në ndryshim nga skandalet e mëparshme, ku Berisha largoi, por i mbrojti protagonistët e skandaleve, si Bashën, Rusmalin, Dibrën, Mediun apo ndonjë tjetër, me Pangon ai bëri të kundërtën: e lëshoi, provë që u duk edhe nga sjellja e avokatit të familjes. Që zoti Pango të shpëtojë veten, e vetmja rrugë për të ishte të bënte apologjinë e plotë para publikut dhe zgjedhësve të tij, pasi historia rozë është vetëm një detaj, mbase më i pranueshëm moralisht sesa morali i deklaruar dhe i premtuar i kësaj qeverie me shqiptarët.
Edhe dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha e dënoi me heshtje ish-ministrin e Kulturës dhe ngriti dy yje të tjerë në vendin e tij; kryetarja e Kuvendit vijoi fushatën propagandistike në mbrojtje të të drejtave të grave, 48 orë para festës së 8 Marsit, pa lënë të kuptohet se ka ndonjë ide të qartë se si mund të veprohet për të luftuar me ligj fenomenin Pango në administratë; presidenti nuk doli nga linja e qëndrimeve të deritanishme në raport me qeverinë si për suksese, ashtu edhe për turpet e saj.
Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë nuk kanë as kohë dhe as mundësi që ta fshehin turpin në radhën e turpeve kur kanë mbetur edhe pak javë që të testohet me votën popullore nëse nuk shkohet përtej fajit dhe fajeve dhe nëse me moralin bëhet demagogji dhe me pushtetin bëhet orgji; morali i veprimeve të zotit Pango ndaj zellit të vajzave që duan të punësohen me ndershmëri dhe profesionalizëm në administratë nuk është më i pështirë se morali i shefit ndaj vartësit ministër.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›