E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha të kërkonte falje publike për skandalin, jo të më sulmonte mua”

Rama: “Berisha do të marrë përgjigje për shpifjet me votën e qytetarëve më 28 qershor”. Kryebashkiaku: “I turpshëm veprimi i kryeministrit për të hedhur baltë mbi Bashkinë e Tiranës”

Shaban Sulçe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas akuzave të bëra nga kryeministri Berisha, i cili tha se Rama po mbante peng zbatimin e planit urbanistik. Kryebashkiaku deklaroi në një konferencë për shtyp se priste nga kryeministri Berisha që të kërkonte falje publike për skandalin seksual të ministrit të tij, dhe jo të hidhte baltë mbi punën e bërë nga Bashkia gjatë këtyre viteve. “Prisja sot që, pasi e shkarkoi me të drejtë ministrin e Kulturës, kryeministri i Shqipërisë të bënte ndjesën e tij përpara opinionit publik për goditjen e rëndë që mori shteti shqiptar për shkak të një anëtari të kabinetit qeveritar. Por, Sali Berisha sot doli vetëm për të derdhur një tjetër sasi balte mbi Bashkinë e Tiranës e mbi mua”, - tha Rama. Kryebashkiaku dhe kreu i PS-së tha se kryeministri Berisha do ta marrë përgjigjen e këtyre shpifjeve që ka bërë më 28 qershor, kur ai dhe qeverisja e skandaleve të tij do të ndëshkohet nga vota e shqiptarëve. “Sa për akuzat dhe shpifjet sotme e të nesërme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe meje personalisht, Sali Berisha do ta marrë përgjigjen jo nga unë, po nga qytetarët e qytetaret e Tiranës e të të gjithë Shqipërisë më 28 qershor, kur Shqipëria do të mbyllë kontratën me të e me Partinë Demokratike dhe do të lidhë një kontratë të re për një rrugë të re, me koalicionin e bashkimit të ri për ndryshim”, - u shpreh Rama.

Skandali
Gjatë konferencës për shtyp, kryebashkiaku komentoi skandalin e ministrit Pango. Rama tha se kryeministri Berisha duhet t’u kërkonte të falur qytetarëve shqiptarë për këtë episod që ka tronditur rëndë besimin e publikut dhe jo të sulmonte një institucion publik si Bashkia e Tiranës. “Prisja sot që kryeministri i Shqipërisë të bënte ndjesën e tij përpara qytetarëve të këtij vendi për shfaqjen brutale të një fenomeni, që nuk ka të bëjë thjesht me një episod të neveritshëm të shpërdorimit të detyrës, por me shpërdorimin ekstrem të besimit të publikut te shteti dhe te ligjet e shtetit nga një pushtet që i ka vënë minat administratës publike, duke i kthyer rekrutimet dhe emërimet në administratë në një sistem klientelizmi partiak, korrupsioni mbytës e abuzimi konstant me ligjin e Shërbimit Civil. Por Sali Berisha sot doli për të sulmuar një institucion publik dhe vijoi rrugën e tij të vjetër të përbaltjes së Bashkisë së Tiranës, e cila është një pasqyrë që në fakt e ka shqetësuar historikisht bajraktarin e paaftë për të ndërtuar shtet e institucione”, - tha Rama.
Qeverisja
Kreu i PS-së tha se Berisha duhet të kërkonte gjithashtu të falur edhe punonjësve të administratës publike. “Prisja sot që kryeministri i Shqipërisë të bënte ndjesën e tij përpara të gjithë administratës publike të këtij vendi, t’i rimotivonte të gjithë njerëzit që punojnë në zyrat e shtetit dhe të inkurajonte të gjithë ata që duan të aplikojnë për të punuar në shtet, sepse natyrshëm të dyja palët s’ka sesi ndjehen mirë pas ndodhisë që rrënoi imazhin e shtetit”, - vijoi ai. Rama e cilësoi qeverisjen e kryeministrit Berisha si qeverisjen e korrupsionit dhe të skandaleve. “Fatkeqësisht Shqipëria sot nuk e ka kryeministrin që i duhet dhe nëse u bënë tre ministrat që zyrtarisht janë objekt i Drejtësisë, kjo flet qartë për dështimin e njeriut që drejton qeverinë e vendit, i cili nuk ka zgjedhur ministra që t’i shërbejnë Republikës e qytetarëve të Republikës, po ka krijuar një oborr shërbëtorësh që abuzojnë me shtetin e me ligjin në funksion të sistemit klanor e korruptiv që Sali Berisha ka ngritur me mandatin e marrë për të qeverisur me duar të pastra”, - tha Rama.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›