Berisha nis sfidën e dytë të madhe, anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian
“Akti i dorëzimit pranë Republikës Çeke të kërkesës për aplikim mbi statusin si vend anëtar i Bashkimit Evropian, përbën një moment historik të rikthimit të Shqipërisë drejt familjes evropiane, nga e cila u nda fizikisht, por jo shpirtërisht për një periudhë kaq të gjatë kohore”. Kjo ka qenë përshëndetja solemnte e kryeministrit Sali Berisha gjatë ceremonisë speciale që Presidenca Çeke ka organizuar me rastin e dorëzimit të kërkesës në fjalë nga pala shqiptare. “Ju falënderoj për pritjen e ngrohtë dhe bisedimet që patëm. Eshtë mirënjohja jonë që të mbështetim Republikën Çeke dhe ecurinë e këtij vendi mik, pasi ai na ka mbështetur në rrugën tonë drejt integrimit”, iu drejtua kryeministri Berisha homologut të tij çek, Topolanek. Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar faktin se 96 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian. Ai ka shtuar para përfaqësuesve evropianë se “vendi ynë e merr aktin e dorëzimit si një moment të madh obligimi për të përmbushur të gjitha kërkesat e duhura nga ana e Bashkimit Evropian për të merituar një ditë statusin “anëtar” i kësaj familje të madhe. Pas firmosjes së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Sali Berisha ka përmbyllur aktin e dorëzimit të kërkesës për aplikim të Shqipërisë në BE mbi statusin e vendit kandidat, edhe në prani të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha si dhe ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, duke nisur kështu aksionin politik për përmbushjen e sfidës së dytë të madhe personale të shefit të qeverisë, anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian
...