PS: Vendimi i parë që do marrim në pushtet do jetë shfuqizimi i importit të plehrave
Deputeti socialist, Blendi Klosi, reagoi sot në lidhje me vendimin e marrë nga KQZ për të shtyrë në kalendat greke referendumin kundër importit të plehrave. Duke folur nga selia e PS, Klosi tha se vendimi ishte antiligjor dhe antikushtetues.
Duke përdorur të njëjtat makinacione abuzive, arrogance dhe injorance, që e kanë kthyer KQZ-në në institucionin më famëkeq, Arben Ristani shumëzoi me zero vullnetin e dhjetëra- mijëra qytetarëve dhe partnerëve të Shqipërisë për mbajtjen e referendumit. Skandali i djeshëm i KQZ të Ristanit nuk është i pari, por seria e shkeljeve skandaloze. Me vendimin e djeshëm Ristani tregoi se është vegël e Saliut. 65 mijë qytetarë që firmosën dhe qindra mijëra të tjerë e kuptuan dje se e ardhmja e Shqipërisë nuk vlen aspak në krahasim me paratë që do përfitojnë nga futja e plehrave, tha Klosi.
Partia Socialiste premtoi se do mbështesë përpjekjet për referendum, por shtoi se vendimi i parë që do marrin kur të vijnë në pushtet do jetë shfuqizimi i importit të plehrave.
Njëlloj si në 8 maj Arben Ristani mohoi vullnetin e popullit.
Vendimi i djeshëm është shkelje e hapur e Kushtetutës, që u jep 50 mijë qytetarëve të drejtën për të thirrur një referendum për një çështje kaq madhore. PS siguron jo vetëm grupin nismëtar për mbështetjen e saj të plotë për këtë referendum dhe çdo qytetar se vendimi i parë pas ardhjes në pushtet do jetë shfuqizimi i nenit që lejon importin e plehrave në Shqipëri. E vetmja dhuratë që Berisha do u bëjë shqiptarëve në 100 vjetorin e pavarësisë është një grumbull me plehra ku Saliu si gjithmonë do këndojë si gjeli majë plehut, theksoi Klosi.