Berisha njihet me projekt-studimin për ndërtimin e një parku biznesi në Tiranë

Kryeministri Berisha priti dje në takim përfaqësues të një konsorciumi kompanish, kompani gjermane, amerikane dhe shqiptare. Përfaqësuesit e këtij konsorciumi, të kryesuar nga kompania gjermane Lindner, kompani lider në tregun evropian të pasurive të paluajtshme, i paraqitën kryeministrit Berisha projekt-studimin për ndërtimin e Parkut të Biznesit në Tiranë (Tirana Business Park), në zonën pranë aeroportit të kryeqytetit shqiptar. Ky studim përbën një ndër projektet më të mëdha në fushën tregut të pasurive të paluajtshme. Kreu i qeverisë Berisha vlerësoi këtë projekt për madhësinë e tij dhe pozicionin e vendosjes, por veçanërisht për ndjeshmërinë mjedisore. Projekti, theksoi Kryeministri, e shndërron këtë zonë në një hapësirë të përshtatshme biznesi dhe kombinon aktivitetin e industrisë së teknologjisë së lartë me vendosjen e selive drejtuese të kompanive. Ky është një ndër projektet më të përparuara, nga pikëpamja e standardeve, në të gjithë rajonin.
...