“Berisha nuk i fshiu dot “njollat e zeza” të korrupsionit të PS, por i shtoi ato”
Flet Olta Xhaçka, kandidate për deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Korçës
Deri në momentin e shpalljes së listës së kandidatëve për deputetë, ekzistonte një opinion, të paktën në media, se lista e kandidatëve për deputetë të PS do të dominohej nga të rinjtë. Në të vërtetë nuk ndodhi, pavarësisht shifrave që përpiqet të publikojë kryetari juaj. Duket se përgjatë procesit të hartimit të saj është zhvilluar një betejë e vërtetë midis asaj që tashmë është zhargon i përditshëm juaji, politikës së re dhe asaj të vjetër. Nuk ju duket se beteja është fituar nga “politika e vjetër”?
Të jemi të sinqertë, në Partinë Socialiste nuk është zhvilluar asnjë betejë e këtij tipi, gjë që vihet re edhe në listat e kandidatëve për deputetë. Për mendimin tim ka një gërshetim vlerash, eksperiencash, kontributesh, të cilat nuk mund të anashkalohen. Të rinjtë që u përfshinë në këtë forcë politike erdhën për t’u bërë pjesë e saj duke hyrë nga dera, jo për të nxjerrë të tjerët nga penxherja. Ne e gjetën derën të hapur dhe vendin për t’u ulur te mirëkuptimi, se në politikë brezat duket të bashkëpunojnë dhe jo të luftojnë me njeri-tjetrin.
Në numër jeni më pak, si do t’ia dilni ju të mundni “politikën e vjetër”?
Në pamje të parë mund t’u dukemi pak, por së bashku rigjenerojmë më shumë energji e dije nga sa ju vini re.
Disa prej kandidatëve për deputetë të PS, si Ruçi, Islami, Ruka etj., i përkasin një brezi politik që ka qenë pjesë e elitës politike që në kohën e PPSH e deri tani. Ata janë në krye të listës. Çfarë ju bashkon ju konkretisht me Gramoz Ruçin apo edhe Kastriot Islamin? I vlerësoni ju ata si politikë e re?
Mendoj se duhet ta konceptojmë qartë kufirin e vlerësimit nga ai i injorimit. Emrat që ju përmendet më sipër, u përkasin politikanëve që kanë kontribuar në vite dhe i kanë shërbyer këtij vendi me devotshmëri. Ne nuk mohojmë aspak vlerat e tyre. Nga ky këndvështrim ne përpiqemi të gjejmë pikat që na bashkojnë.
Si alternohet politika juaj e re me atë të vjetër në PS, pasi pjesa kryesore e PS së vjetër është aty, në listën fituese të kandidatëve për deputetë të PS?
Në politikë nuk ka moshë, ndaj s’ka pse përfytyrohet një hendek ndarës i panevojshëm. Nëse midis të rinjve e të vjetërve fitues krijohet ai bashkëpunimi e mirëkuptimi i duhur, hendeku është i kapërcyer.
Duke qenë një prej të rinjve në listën e kandidatëve për deputetë të PS, çfarë koncepti keni ju për mënyrën se si duhet zhvilluar një fushatë elektorale për të qëndruar afër mentalitetit të elektoratit socialist?
Ne kemi konceptuar dhe po zhvillojmë një fushatë, e cila nuk bazohet te mentalitetet, por te problemet, me të cilat përballen shqiptarët, pavarësisht nga preferencat politike. Në “ndihmë” na vijnë edhe skandalet e njëpasnjëshme të kësaj qeverisjeje të mbrapshtë dhe premtimet e pambajtura të saj. Ndaj po përpiqemi t’i lexojmë elektoratit të ashtuquajturat “fitore” të mazhorancës nga dështimet e saj, njëkohësisht duke parashtruar alternativat tona.
Vini nga një aktivizim në OJQ, konkretisht “Mjaft”. Ku ju ndihmon kjo përvojë dhe ku ju pengon ajo, duke pasur parasysh se tashmë jeni kandidate për deputete e një prej dy partive më të mëdha në Shqipëri, me një elektorat, i cili në pjesën e konsiderueshme është me mentalitet konservator?
Përvoja ime me “Mjaftin” nuk është e vetme. Po të shtojmë edhe shkollimin dhe përvojën e fituar me kontributin tim në disa organizata joqeveritare kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut gjatë qëndrimit tim në Shtetet e Bashkuara apo më pas në fushën e mësimdhënies si pedagoge e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan të Nju- Jorkut dhe si një nga themelueset e lëvizjes politike G-99; ndjehem e sigurt në kryerjen e detyrave që më presin. Është pikërisht kjo përvojë, e cila më lehtëson të komunikoj lirshëm me të rinjtë dhe të gjej gjuhën e duhur për të komunikuar edhe me atë që ju e quani mentalitet konservator.
Çfarë do të bëni ju për të fituar zemrat e socialistëve?
Unë jam e bindur se po t’u qëndrosh afër njerëzve, po ta shohësh në sy realitetin, po t’i njohësh mirë problemet, me të cilat ata përballen çdo ditë, po të dish t’ua rikthesh shpresën e t’i bindësh se nuk je midis tyre thjesht për t’u marrë votën, por për t’ua përmirësuar jetesën në të ardhmen, ua fiton zemrat. Unë jam pranë tyre pikërisht për t’u treguar se jam në gjendje ta bëj këtë me zotësinë, ndershmërinë dhe përkushtimin tim.
Cila është epërsia juaj në raport me gratë e tjera të politikës së PS, p.sh., me Valentina Leskajn apo edhe gra të tjera në parti të tjera?
Unë nuk shoh asnjë epërsi te vetja për ta konsideruar prioritet në raport me gratë e tjera të politikës, përkundrazi koleget e mia i konsideroj një vlerë e shtuar në kuadrin e bashkëpunimit për projektet e përbashkëta.
Çfarë i ofroni ju si kandidate elektoratit socialist në qeverisjen e ardhshme përveç imazhit të kryebashkiakut, Edi Rama, i cili është edhe kryetari i partisë suaj?
Ndershmërinë dhe aftësitë e mia për t’iu përgjigjur programit bashkëkohor të një qeverisjeje ndryshe, me dhe për qytetarët, i cili do të na shkëpusë përfundimisht nga ky tranzicion i lodhshëm për të na zhvendosur sa më shpejt nga skaji anësor i Evropës në gjirin e saj. Në këtë aspekt, imazhi energjik i kryetarit Edi Rama më inkurajon të bashkoj hapat me këtë ritëm.
Shumë prej të rinjve në listën e kandidatëve për deputetë të PS janë në pozicione të listës jo të favorshme për të fituar, cila është e ardhmja e tyre, ndoshta në ekzekutiv?
S’ka asnjë dyshim që të rinjtë do të jenë, jo vetëm pjesë e legjislativit, por edhe të ekzekutivit të ardhshëm.
Është e qartë se ju nuk doni të komentoni mbi mundësinë e humbjes, megjithatë unë po ju drejtohem nisur nga një mundësi e tillë. Në qoftë se ndodh që Partia Socialiste të humbasë zgjedhjet, kujt do t’ia faturoni humbjen, “politikës së vjetër”?
Në një garë ku hyhet për të fituar, natyrisht që ka edhe humbës. Nëse Partia Socialiste ndjehet e sigurt me elektoratin e saj drejt një fitoreje më 28 qershor, kjo nuk ka të bëjë aspak me një situatë euforike. PS ka hartuar një program qeverisjeje model që bazohet në kërkesat e njerëzve e që synon ta përmirësojë sa më shpejt nivelin e jetës së tyre. Ne kemi një vizion të qartë për të ardhmen dhe nuk e kërkojmë votën me premtime boshe. Programi ynë bazohen në modele bashkëkohore që do ta integrojnë më shpejt Shqipërinë drejt strukturave evropiane.
Kjo është, si të thuash, parapërgatitja e garës. Por nuk duhet të harrojmë diçka tjetër. Gara ka edhe disa kushte, ku më kryesorja është ndershmëria e saj. E kaluara na ka lënë një shije të hidhur për sa i përket dhunimit të votës, ka krijuar Dushkun dhe mega-Dushkun dhe shpërndarje “meritash” të pamerituara në parlament. Ndërkohë, procesi i pajisjes së votuesve me kartat e identitetit mbarset me një mori problemesh, të cilat rrezikojnë votën e lirë. Ndërsa ne synojmë të garantojmë zgjedhje të ndershme, në media denoncohet përditë se ka mendje që thurin skema për manipulimin e votës. Kjo është “fatura” që na preokupon sot për sot.
Tashmë po marrim rastin e mundësisë që ju të fitoni zgjedhjet e 28 qershorit. Me sa është kuptuar deri tani nga ajo që quhet politikë e re, vërehet se ekzekutivi do të jetë i ndarë nga legjislativi dhe se do të qeveriset me ekspertë. A do të kenë hapësirë të rinjtë të dominojnë të vjetrit?
Pa dyshim. Hapësira që Partia Socialiste u ka hapur të rinjve është mjaft e gjerë dhe unë jam e bindur se lidershipi i saj do të mbështetet tek ata për të gërshetuar më së miri maturinë, përvojën, dijet dhe energjinë e brezave, pa anashkaluar traditën më pozitive të kësaj force politike.
A është një mundësi pikërisht njolla e zezë e korrupsionit të qeverisjes së PS në tetë vite (kam parasysh edhe deklaratat e Edi Ramës për këtë çështje), preteksti për të shmangur tërësisht të vjetrit nga qeverisja?
“Njollat e zeza” që përmendët ju, i shërbyen Sali Berishës për t’u kthyer në pushtet, pavarësisht se gjatë viteve të qeverisjes, jo vetëm nuk i fshiu ato, por e ngriti korrupsionin në atë nivel skandalesh, për denoncimin e të cilave nuk mjaftojnë faqet e shtypit. Vizioni i ri i Edi Ramës nuk ka asnjë lidhje me këtë të kaluar, prandaj në hapin e madh drejt kësaj ngjitjeje do të mbeten pas ata që nuk e ndjekin dot.