E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse dua të ndryshoj përzgjedhjen e kandidatëve konservatorë

Nga David Cameron, Kryetari Partisë Konservatore, Britani

Javët e fundit kanë qenë të tmerrshme për politikën. Historitë e zbuluara nga “Telegraph” për deputetët që kanë abuzuar me shpenzimet, kanë tronditur parlamentin dhe gjithë sistemin tonë politik nga themelet.

Më lejoni ta filloj me përcaktimin e diçkaje qartë. Politikanët kanë bërë gjëra të gabuara. Nuk dua t’ia di, nëse ishin brenda ligjeve të kohës - ata vepruan gabim dhe vendi ka të drejtë të jetë i zemëruar. Kjo është arsyeja, përse kam marrë masa për t’i ndaluar deputetët konservatorë të marrin shpenzime të ndryshme në të ardhmen dhe krijimin e një paneli në të ardhmen që do të hetojë çfarë ka ndodhur në të shkuarën. E di që do të kërkojë kohë dhe përpjekje për të riparuar një sistem që është lejuar të degradonte gjatë viteve. Duhet ta kemi të qartë, ne kemi nevojë të ndërtojmë një sistem që të jemi të gjithë krenarë dhe ta besojmë të gjithë, sepse politika është makineria jonë më e mirë për ndryshimet e mëdha që vendi ka nevojë.

Por, nëse sistemi ynë politik do t’i përgjigjet detyrës, edhe ai ka nevojë për ndryshime të mëdha. Kjo krizë mund të kthehet në një mundësi. 2009 nuk ka pse të mbahet mend si viti kur u gjunjëzua sistemi politik britanik. Nëse rrokim momentin, ne kemi mundësi ta kthejmë atë në vit reformash - reformë, përfitimet e së cilës i vjelim pas shumë vitesh.

Një pjesë e reformës është në lidhje me parlamentin - dhe veçanërisht ndryshimi i sistemit brenda tij. Ka dështuar i gjithë procesi se si diçka bëhet ligj. Po kalohen shumë ligje, me shumë pak vëmendje nga deputetët. Nënshtrimi i madh i deputetëve ndaj hierarkisë partiake kufizon vëmendjen reale. Kjo duhet të ndryshojë.

Ne duhet të krijojmë komisione të përhershme që të ekzaminojnë realisht ligjet që kalojnë në parlament. Dhe ne kemi nevojë për komisione parlamentare - komisione që vëzhgojnë çdo departament qeveritar - më të pavarura. Për momentin, kryesimi i një komisioni parlamentar është shpesh një shpërblim për ata që përzihen nga qeveria. Kemi më shumë nevojë për liri vote. Ke gjithashtu nevojë për një kryetar parlamenti të fuqishëm që gëzon respektin e të gjithëve.

Të gjitha këto janë të rëndësishme. Ndryshimi i procesit në parlament nuk mjafton, por, kur bëhet fjalë për njerëzit që bëhen anëtarë të këtij parlamenti, kjo është një mundësi e mirë për të zgjeruar rrjetin, për të rritur hapësirën e talenteve dhe për të tërhequr njerëz që kurrë më parë nuk kanë menduar për të shërbyer. Si mund ta bëjmë këtë? Duhet t’i përfshijmë më shumë qytetarët në marrjen e vendimeve, që deri tani kanë qenë monopol i partive.

Këtë thuajse e kemi nisur. Gjatë viteve të fundit ne e kemi revolucionarizuar mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. Në vend që qytetarët e zonës të zgjedhin mes kandidatëve të partisë, kur vijnë zgjedhjet, në disa raste ne u kemi dhënë mundësinë që ta zgjedhin kandidatin konservator me zgjedhje të hapura. Zgjedhje të tilla dua të kemi më shumë në të ardhmen.

Përzgjedhja jonë e kandidatëve është shumë demokratike - çdo anëtar i partisë voton për kandidatin që dëshiron - por zgjedhjet e hapura e hapin edhe më shumë procesin duke ftuar jo-anëtarë partie të marrin pjesë në votim. Auditorët në të gjithë vendin janë mbushur me qindra njerëz që vijnë për t’i parë vetë kandidatët potencialë dhe votojnë për atë që pëlqejnë më shumë. Njerëz të bindjeve të ndryshme mund të vijnë - i vetmi kriter është se duhet të jenë vendalinj.

Këto takime - së bashku me iniciativat si hapja pjesërisht e konferencave tona partiake për jo-anëtarët - i kanë dhënë publikut mundësinë e pjesëmarrjes në partinë tonë më shumë se kurrë më parë. Hierarkët e partisë gjithmonë kanë qenë në siklet për gjithçka që nuk është nën kontrollin e tyre. Por qytetarët duan të kenë më shumë kontroll mbi politikën dhe unë dua t’ua japë atë.

Kjo është arsyeja, përse unë do ta rihap listën e kandidatëve dhe do të ftoj qytetarë të afrohen. Nuk është domosdoshmërisht e nevojshme të kenë qenë pjesë e Partisë Konservatore në të shkuarën - më e rëndësishme se kjo është besimi te shërbimi publik dhe dëshira për të pastruar sistemin tonë politik. Sigurisht që unë dua që ata të jenë konservatorë. Vlerat e përbashkëta - besimi te familja, lulëzimi, sipërmarrja dhe shoqëria e fortë - janë të nevojshme më shumë se kurrë.

Sjellja e gjakut të ri në këtë mënyrë nuk do të zgjidhë të gjitha problemet, por është një fillim. Zgjedhjet e përgjithshme janë e vetmja mënyrë që publiku ta thotë fjalën e vet për ato që kanë ndodhur. Vetëm një qeveri e freskët mund t’i ofrojë ndryshimet, për të cilat kemi nevojë.

Dhe ky ndryshim ka nevojë të shkojë tej parlamentit, duke iu dhënë qytetarëve kontroll mbi aspekte më të shumta të jetës së tyre. Kështu që, nëse ne fitojmë zgjedhjet, nuk do të bëhet thjesht kalimi i pushtetit nga Partia Laburiste te Partia Konservatore - por pushteti do të kalojë nga Westminister (parlamenti britanik) te qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›