E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR: Të shqetësuar për kartat, me PD kemi vetëm kontakte teknike

Nga Tema

Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR ka publikuar dje raportin e parë në lidhje me situatën parazgjedhore në Shqipëri.

Sipas tyre, shqetësuese mbetet situata për sa i përket pajisjes me karta identiteti. Në raportin e tyre është theksuar dhe fakti se partia në pushtet dhe qeveria kanë refuzuar t’i takojnë drejtuesit e Misionit Vëzhgues, duke çuar vetëm disa teknicienë për përfaqësim. Shqetësim shprehet dhe për situatën e medieve.

Më poshtë vijojnë pjesë nga ky raport.

Dy palë zgjedhjet e fundit nuk kanë plotësuar standardet

Zgjedhjet do të mbahen për herë të parë me një sistem proporcional rajonal, që ka zëvendësuar sistemin e shumëdebatuar të mëparshëm. Reformat janë miratuar në një ambient konsensual mes dy partive kryesore, asaj Demokratike dhe Partisë Socialiste. Shumë parti të vogla kanë shprehur shqetësim në lidhje me sistemin e ri elektoral, duke ndjerë se sistemi do të favorizojë më së shumti dy partitë e mëdha. Zgjedhjet e fundit të korrikut 2005 u fituan nga një koalicion i udhëhequr nga Partia Demokratike.

Zgjedhjet më të fundit ishin ato lokale në shkurt të vitit 2007. OSBE/ODIHR kanë vlerësuar se të dy këto palë zgjedhje kanë përmbushur vetëm pjesërisht detyrimet e OSBE, pavarësisht se kanë shënuar progres.

Vlerësim për partinë e re, G99

Mjedisi politik vazhdon të jetë shumë i polarizuar mes Partisë Demokratike dhe asaj Partisë Socialiste.

Aleanca për Ndryshimin është regjistruar si koalicion me mbi 17 parti, përfshi dhe Partinë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha. 16 parti kanë paraqitur listat e kandidatëve në KQZ.

Koalicioni Bashkimi për Ndryshim ka në përbërje pesë parti, përfshirë Partinë Socialiste. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila ishte pjesë përbërëse e qeverisjes aktuale, të drejtuar nga PD, është bashkuar me koalicionin e drejtuar nga PS, përpara mbylljes së afatit për regjistrimin e koalicioneve.

Bashkimi për Ndryshim gjithashtu përfshin dhe një parti të re, G99, që është krijuar nga figura të rëndësishme të shoqërisë civile.

Kartat e identitetit mbeten çështja më problematike

Çështja e kartave të reja të identitetit mbetet çështja më e debatueshme deri më tani. Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 354 mijë nga 730 mijë votues të përllogaritur, që nuk kanë një pasaportë, kanë aplikuar gjer më tani për të marrë kartën e identitetit. Ndërsa qeveria është e bindur se do të jetë në gjendje që t’u ofrojë të gjithë zgjedhësve që nuk kanë një pasaportë karta identiteti, interlokutorët e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, në veçanti nga opozita, kanë vënë në pikëpyetje, nëse do jetë e mundur që kjo të bëhet gjatë kohës së mbetur.

Disa parti kanë hedhur dyshime se aplikimet po bëhen në mënyrë selektive, për të dizavantazhuar mbështetësit e tyre.

Një numër i përllogaritur prej 160 mijë votuesish mendohet se janë jashtë vendit pa dokumente të vlefshme. 220 mijë votues nuk kanë aplikuar për karta identiteti gjer më tani.

Pikëpyetje janë ngritur, nëse kompania që menaxhon procesin e kartave të identitetit ka kapacitetet e duhura për të përmbushur nevojat e mëdha për aplikime gjatë periudhës së fundit të procesit.

Transmetuesi publik është në dispozicion të qeverisë dhe PD

Numri i madh i medieve që garojnë për një treg të kufizuar reklamash, përllogaritet që është një treg prej 21 milionë eurosh në vit dhe mungesa e transparencës për financat e tyre ka ngritur shqetësimin mes gazetarëve vendas, por dhe organizatave të huaja në lidhje me ndërhyrjen e interesave politike dhe ato të biznesit në media.

Reforma në transmetuesin publik, RTSH, që vazhdon të jetë dhe transmetuesi me shtrirjen më të gjerë territoriale, është penguar. Ka patur pretendime për emërime dhe shkarkime politike në stafin kryesor të RTSH. RTSH shihet nga shumë interlokutorë sikur i shërben qeverisë dhe partisë në pushtet më shumë se sa është një transmetues i ndershëm publik.

Partitë e opozitës akuzojnë Partinë Demokratike se ka përfituar nga fushatat e reklamave, duke nënvizuar arritjet e qeverisë, reklama që janë transmetuar përpara fushatës zyrtare, ndërsa partitë nuk janë lejuar të kenë reklama politike në televizione.

Ka një mungesë besimi mes shumë partive politike për administrimin e zgjedhjeve.

Gratë janë në fund të listave të partive

Roli i grave në jetën politike shqiptare vazhdon të jetë i kufizuar. Vetëm dhjetë nga 140 deputetë që po largohen nga parlamenti, përfshirë këtu dhe drejtuesen, janë femra. Edhe pse partitë kanë teorikisht 30% gra në listat e tyre, ato janë në fund të tyre.

PD pranon vetëm kontakte në nivele pune

Misioni i Vëzhgimit të OSBE/ODIHR ka hapur zyrat e tij në Tiranë më 8 maj 2009. Kreu i misionit është takuar me anëtarë të KQZ, zëvendësministrin e Brendshëm, drejtues të partive parlamentare dhe disa parti jo-parlamentare (Partia Demokratike ka pranuar deri më tani të ketë kontakte në nivele pune), kreun e Misionit të Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe ambasadorët e vendeve anëtare në OSBE.

Misioni Vëzhgues ka takuar përfaqësues të zyrës së kryeministrit dhe të Ministrisë së Jashtme dhe ka vendosur kontakte të rregullta me KQZ, partitë politike, shoqërinë civile dhe medien.

Përmbledhje e raportit

- Presidenti i Republikës së Shqipërisë më 14 janar ka thirrur zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen më 28 qershor 2009. Zgjedhjet do të mbahen me një sistem të ri proporcional rajonal, me 140 anëtarë të parlamentit që do të zgjidhen në 12 qarqe.

- Një Kod i ri Elektoral, i rishikuar dhe i përmirësuar ndjeshëm, është miratuar në dhjetor të vitit 2008, si rezultat i negociatave të fundit për reformën elektorale.

- 36 parti politike kanë paraqitur listat e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përveç kësaj, dy kandidatë kanë paraqitur firmat e nevojshme për të kandiduar si të pavarur. 33 parti do të garojnë në këto zgjedhje si pjesë e një koalicioni.

- Mjedisi politik vazhdon të jetë tejet i polarizuar ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Ndërsa fushata zgjedhore nuk duhet të fillojë deri më 29 maj, shumë parti po bëjnë fushatë aktive, çka nuk është e ndaluar nga Kodi Zgjedhor.

- Çështja e kartave të reja të identitetit mbetet çështja më e debatueshme deri më tani. Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 354 mijë nga 730 mijë votues të përllogaritur, që nuk kanë një pasaportë, kanë aplikuar gjer më tani për të marrë kartën e identitetit. Ndërsa qeveria është e bindur se do të jetë në gjendje që t’u ofrojë të gjithë zgjedhësve që nuk kanë një pasaportë karta identiteti, interlokutorët e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, në veçanti nga opozita, kanë vënë në pikëpyetje, nëse do jetë e mundur që kjo të bëhet gjatë kohës së mbetur.

Disa parti kanë hedhur dyshime se aplikimet po bëhen në mënyrë selektive, për të dizavantazhuar mbështetësit e tyre.

- Shqipëria ka një numër të madh mediesh, të cilat shihen si pluraliste, por jo të pavarura nga ndikimi politik. Kodi Zgjedhor përmban rregulla të detajuara për mbulimin mediatik të fushatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›