E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulja e detyruar e avionit në Romë, jo në Rinas

 

TIRANE – Ulja e detyruar e avionit të kompanisë “Alitalia”, si pasojë e kontaktit të motorëve me një zog, është bërë në aeroportin e Romës dhe jo te “Nënë Tereza” në Tiranë. Burime zyrtare nga policia e Rinasit, saktësuan dje se nuk ka pasur asnjë rast të uljes së detyruar të avionëve në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa rasti i bërë publik dje në media, ka ndodhur në Romë tri ditë më parë. Sipas burimeve, avioni i “Alitalia” sapo ishte ngritur nga Roma për fluturim drejt Tiranës, me rreth 100 pasagjerë në bord, kur pilotët konstatuan problemet në motor. Ulja e detyruar e avionit dhe më pas kontrolli teknik, është bërë në aeroportin e Romës, prej ku avioni sapo ishte ngritur kur në motorët e tij mbeti një zog. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Rinasit, kohët e fundit në Aeroportin e Tiranës nuk ka pasur asnjë lajmërim për probleme apo avari në fluturimet e avionëve. “Veprimtaria ka qenë normale dhe policia e Rinasit nuk ka pasur asnjë lajmërim apo kërkesë për ndërhyrje apo veprim në asnjë rast për avari, urgjencë apo probleme të tjera të sigurisë”, thanë më tej burimet. Sipas tyre informacioni mbi të cilin u bazua lajmi i djeshëm për uljen e detyruar të avionit në Rinas, ka pasur burime të tjera që nuk i referohen policisë së Rinasit. Pasaktësia duket se ka ndodhur pas uljes së detyruar të avionit në Romë dhe informatave të përcjella më pas në rrugë mediatike pa konfirmim zyrtar nga autoritetet e Rinasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›