E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet vrasësi i Servete Kullës

 

Gjykata e Lartë liron të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e Servete Kullës në Itali në 2001. Kujtim Hysa, i akuzuar për “trafik prostitucioni me pasojë vrasjen” në dëm të Servete Kullës, është liruar nga Kolegji Penal i kësaj gjykate. Trupi gjykues që liroi të dyshuarin kryesohej nga gjyqtari Besnik Imeraj. Sipas vendimit, dosja në ngarkim të Kujtim Hysës, i njohur edhe me emrin Genci Hysa u pushua nga kjo gjykatë, duke i shmangur Hysës përfundimisht masën e arrestit dhe dënimin me burgim. Ndërkohë, ngjarja e rëndë e 8 viteve më parë në Itali, ku 20-vjeçarja Kulla u gjet e masakruar me thikë në një kazan plehrash mbetet pa autor.
GJYKIMI
Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i dhënë pak ditë më parë, rrëzoi dy vendimet e mëparshme të gjykatave që e kishin dënuar Hysën. Burime pranë Gjykatës së Lartë, nuk dhanë detaje për arsyetimin e vendimit të kolegjit penal, ndërsa konfirmuan se i pandehuri Hysa fitoi lirinë. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila tha se po pret zbardhjen e vendimit për të parë argumentet e gjykatës. Procesi ndaj Kujtim Hysës ka kaluar në tri shkallët e gjyqësorit shqiptar. Procesi i parë penal në ngarkim të Kujtim Hysës përfundoi në tetor të vitit 2005 në Gjykatën për Krimet e Rënda. Trupa gjykuese e kësaj dosjeje, e kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, vendosi dënimin me burg përjetë për Hysën, për akuzën e “trafikimit të femrave për prostitucion” që ka sjellë pasojë vdekjen e të dëmtuarës Servete Kulla. Gjykata vendosi gjithashtu 25 vjet burg heqje lirie për të bashkëpandehurin tjetër të këtij procesi, K. Xhaferri. Pasi çështja është dërguar në Apelin e Krimeve të Rënda, më 14 dhjetor të vitit 2005 është vendosur prishja e vendimit të shkallës së parë dhe dënimin e Hysës me 23 vjet burg.
Në vijim nga avokati i mbrojtës i të pandehurit Hysa, vendimit të Apelit i është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Pas shqyrtimit të çështjes, togat e zeza të kësaj gjykate në qershor të vitit 2006 vendosën prishjen e vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë me një trupë tjetër gjyqësore. Por edhe dërgimi për së dyti në Apel dhe vendimi i marrë në fund të shqyrtimit do të dërgohej sërish për rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi pak ditë më parë lirimin e Hysës.
Vrasja në Itali
Historia e Servete Kullës fillon në vitin 2000, kur ajo u njoh me Genci Hysën dhe krijoi një lidhje intime me të. Pas përballjes me mosaprovimin e prindërve për lidhjen e tyre, Hysa e rrëmben 20-vjeçaren dhe e prezanton te familja e tij si bashkëshorte. Në shkurt të këtij viti ata largohen në Itali. Vetëm pak kohë pasi mbërrijnë në Xhenova të Italisë, Servete Kulla u detyrua të dilte në rrugë si prostitutë. Sipas vendimeve të gjykatave më të ulëta, Kulla prostituonte për llogari të Genci Hysës dhe K. Xhaferrit. Më 25 prill të vitit 2001, trupi i një femre të re u gjet e masakruar me thika e hedhur në një kazan plehrash. Pas identifikimit rezultoi se trupi i pajetë ishte Servete Kulla.   re.kr

Kulla e vrarë u hodh në kosh plehrash

Trupi i pajetë i vajzës nga Durrësi, Servete Kulla, u gjet i masakruar më 25 prill 2001, në një kazan plehrash në Gjenova të Italisë. Policia italiane mori njoftimin se ishte gjetur kufoma e një vajze, e cila kishte veshur një palë geta rrjete të zeza, minifund, xhup lëkure, të brendshme të bardha. Nisur nga veshja, hetuesit dyshuan se viktima kishte qenë prostitutë. Pas kësaj është bërë menjëherë identifikimi i saj. Ka rezultuar se vajza e kishte emrin Servete Kulla dhe ishte nga fshati Gjoricaj, i Durrësit në Shqipëri. Sipas autoriteteve italiane që kanë hetuar këtë ngjarje, në orarin që është kryer vrasja, vajza ka qene duke prostituuar.  Në survejim të policisë kanë qenë i pandehuri Genci Hysa, i cili njihej edhe me emrin Kujtim. Më pas policia italiane dha detaje të tjera për krimin, duke pohuar se vajza shqiptare ishte therur me një thikë, tehu i së cilës ishte 15 cm i gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›