Kosova përshëndet suksesin në Damask, por edhe Serbia
Prishtina zyrtare e ka përshëndetur miratimin e Rezolutës për Kosovën në Organizatën e Konferencës Islamike, që shihet si hap përpara në njohje më masive nga vendet islamike. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, në një konferencë të përbashkët, vlerësuan se kjo Rezolutë do të ketë efekte të shumanshme pozitive në raportet mes shtetit të Kosovës dhe vendeve të botës islame. Presidenti, Fatmir Sejdiu tha se Rezoluta shpreh marrëveshjen e vendeve anëtare të Konferencës Islamike, por edhe njohje të realitetit të ri në Kosovën e pavarur. “Konsiderojmë një mbështetje për vizionin tonë politik dhe, në të njëjtën kohë, një përkrahje të njohjeve, që duhet t’i bëhen Republikës së Kosovës. Presim po kështu që në procesin e mëtutjeshëm të ketë njohje të tjera, duke shprehur në të njëjtën kohë gatishmërinë e institucioneve të Republikës për bashkëpunim më të drejtpërdrejtë me këto vende”, tha Sejdiu. Kryeministri Thaçi tha se kjo Rezolutë është shumë e rëndësishme për Kosovën. Ai tha se miratimi me unanimitet tregon se në të ardhmen këto shtete anëtare të Konferencës Islamike do ta njohin Kosovën. “Është mesazh i qartë dhe shtytje edhe më e madhe që të gjitha këto shtete në të ardhmen e afërt të njohin Republikën e Kosovës. Rezoluta ka vlerësuar lart zhvillimet dhe progresin e madh të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të vazhdojë ta ndihmojë zhvillimin e shtetit të Kosovës”, theksoi Thaçi. Zyrtarët kosovarë besojnë se vendet islamike po e pranojnë realitetin e ri në Kosovë. Pas miratimit të rezolutës për Kosovën nga Organizata e Konferencës Islamike, shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç që ka lobuar fort kundër saj, ka heshtur. Në vend të tij ka reaguar drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Borisllav Stefanoviç, i cili pohon se rezoluta përmban “ndryshime në amendamente”, për të cilat ka insistuar Serbia, dhe në këtë mënyrë, sipas tij, është “penguar” vala e re e njohjes së Kosovës. Stefanoviç tha se Konferenca Islamike e ka miratuar rezolutën, e cila nuk përmban thirrje për njohje të pavarësisë së Kosovës, e as për mbështetje të pavarësisë. “Serbia është përgatitur mirë dhe duket se ka arritur ta ndalë edhe një përpjekje serioze për shkeljen e integritetit territorial”, tha ai, duke akuzuar ministrin e Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha se me “deklarata spekulative” po përpiqet të rrëzojë “suksesin diplomatik të Serbisë”.