Berisha nuk lejon pushime të gjata për ministrat
Kryeministri Berisha nuk do të ndërpresë për asnjë javë mbledhjet e Këshillit të Ministrave, ndonëse Parlamenti i Shqipërisë i ka të mbyllura punimet e tij në muajin gusht. Kështu sot, kreu i qeverisë do të mbajë mbledhjen e radhës së qeverisë për të miratuar aty vendimet dhe projektligjet e radhës të ardhura nga ministritë. Ashtu siç ka ndodhur edhe katër vitet e shkuara, kreu i qeverisë, Berisha, nuk ka “kursyer” ministrat e kabinetit të tij, duke i privuar nga pushimet e gjata verore dhe duke i detyruar të vazhdojnë punën pa ndërprerje edhe gjatë muajit gusht. Burimet bëjnë të ditur se gjatë këtyre tri javëve të gushtit, Këshilli i Ministrave do të miratojë kryesisht vendime që nuk presin votën e deputetëve në Kuvend për të hyrë në fuqi. Por, nga ana tjetër, nuk do të mungojnë edhe projektligjet, të cilat do të presin fillimin e muajit shtator për të marrë edhe votat e duhura në Parlament. Gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave, disa nga vendimet më të rëndësishme lidheshin me vijimin e procesit të legalizimeve në shumë zona informale në të gjithë vendin dhe po kështu miratimin e ministrave e morën edhe disa vendime që lidheshin me të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar statusin e tokës që kishin në disponim.
#