E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti serb u ftua nga Kryeministri Berisha

“Thyerja e akullit” Në dhjetor të vitit të kaluar u takuan së bashku në një samit ndërkombëtar

Ftesa e Kryeministrit Sali Berisha për Presidentin serb, Boris Tadiç, në Tiranë ka nisur të skicohet që prej dhjetorit të një viti më parë. Më 23 dhjetor 2009, Kryeministri Berisha ka bërë publik qëndrimin e tij, se pas takimeve që ka pasur me Presidentin serb, Boris Tadiç, e ka ftuar atë për një vizitë zyrtare në Tiranë. Nuk bëhet fjalë për një ndryshim kursi të diplomacisë shqiptare, por për krijimin dhe vendosjen e marrëdhënieve të mira, të cilat sigurojnë stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi hyjnë në një kapitull të ri. “Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe unë dua t’u them se po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti e ka mirëpritur ftesën për të ardhur në Shqipëri”, është shprehur Kryeministri Berisha në dhjetor të vitit 2009. Shqipëria dhe Serbia, pavarësisht dallimeve thelbësore për çështjen e Kosovës, tentojnë të vendosin një stad të ri marrëdhëniesh diplomatike.

“Në çdo samit takohem me Presidentin Tadiç dhe ajo çka vlerësoj shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet midis dy vendeve tona, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie”, është shprehur Berisha. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pritet të vizitojë së shpejti Shqipërinë, në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit. Vizita do të konsiderohet historike, për shkak se do të shënojë vizitën e parë zyrtare të një Presidenti serb në Tiranë. Kujtojmë se në muajin mars, ishte ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Iliri Meta, që ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Beograd, ku është takuar edhe me Presidentin serb, Boris Tadiç. Lajmi është konfirmuar dy ditë më parë nga ambasadori shqiptar në Beograd, Shpëtim çaushi. Ai sqaron se Presidenti Tadiç i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë. “Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Kjo frymë bashkëpunimi bilaterale influencon pozitivisht në të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, së shpejti do të ketë vizita të rëndësishme nga të dyja palët, përfshi këtu edhe vizitën e Presidentit Tadiç në Shqipëri”, është shprehur ambasadori çaushi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›