E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: USAID vlerëson klimën e biznesit në vend

Deklarata Zëdhënësja e qeverisë përshëndet raportin për regjistrimin

Qeveria shqiptare vlerësoi dje raportin e USAID për performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri, e cila konsiderohet si e suksesshme. Kështu dje, zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, përmes një konference për shtyp theksoi se në raport USAID konfirmon suksesin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, duke lehtësuar punën dhe ritmin e përditshëm të bizneseve shqiptare. Sipas Bregut, ky raport thekson se krijimi i QKR-së përmirësoi në mënyrë drastike procesin e regjistrimit të biznesit në Shqipëri. Po kështu Bregu theksoi se rezultatet e studimit tregojnë se 90% e të intervistuarve e përcaktuan nivelin e kënaqësisë nga shërbimet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, si të mirë ose shumë të mirë. Zëdhënësja e qeverisë theksoi se 93% e të intervistuarve pohojnë se procedurat e aplikimit janë shumë të qarta dhe ky rezultat nuk ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në varësi të vendndodhjes së biznesit ose llojit të të intervistuarit. “Shumica e të intervistuarve pohojnë se kanë marrë certifikatën e regjistrimit të biznesit brenda 24 orëve nga momenti i paraqitjes së kërkesës së tyre”, shtoi ministrja e Integrimit, duke cituar raportin e USAID-it. Sipas saj, rritja me 48% e regjistrimit të bizneseve vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2010, konkretisht në 10514 në krahasim me 6-mujorin e parë të vitit 2009, kur ishte 7089 biznese të regjistruara, është një nga treguesit kryesorë të kësaj performance dhe efikasitetit të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›