Berisha nuk ndryshon qëndrim për grevën e deputetëve
Kryeministri Berisha vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim për grevën e deputetëve duke mos dhënë asnjë shenjë tërheqjeje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gjatë një prononcimi nga Brukseli, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Berisha është shprehur se është i detyruar të bashkëpunojë me partinë më të madhe të opozitës. Berisha ka bërë të ditur se greva nuk është rruga e zgjidhjes së çështjes, duke theksuar se Kodi Zgjedhor do të shqyrtohet dhe në seancë parlamentare. Megjithatë, Berisha konfirmoi se bashkëpunimi i tij me PS-në ka garantuar tashmë shumicën e votave të mjaftueshme për të miratuar Kodin e ri Zgjedhor. “Së pari, duke shprehur respektin për vendimin e gjithsecilit, më duhet të them se anëtarët e komisioneve zgjedhore nuk mund të vendosen në këtë mënyrë që kërkohet nëpërmjet grevës së urisë. Deputetët grevistë kanë patur mundësi në çdo rast për të qenë në komision dhe kanë qenë në komision për të diskutuar për Kodin. Prapë në parlament do të shkojë ligji, por unë e theksoj se unë jam qeveri. Nuk jam unë që zgjedh opozitën, opozitën e zgjedh populli. Populli ka përcaktuar që Partia Socialiste të jetë partia kryesore e opozitës dhe nuk ka mundësi që unë të veproj nëpërmjet faktorëve të tjerë opozitarë”, - është shprehur Berisha.
15 Nentor 2008