E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjel Dule del në krah të grevistëve: “Kodi, i papranueshëm”

Kryetari i PBDNJ-së e cilëson Kodin Zgjedhor minë me sahat. PBDNJ-ja kundër Kodit bashkë me PDS-në, PAA-në, LSI-në dhe PDK-në

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka dalë dje në mbështetje të grevës së urisë së 11 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Duke komentuar Kodin e ri Zgjedhor, Dule e ka cilësuar atë një minë me sahat. Sipas Dules, projekti i miratuar nga dy partitë e mëdha është i papranueshëm, pasi parashikon një formulë të pabarabartë të përbërjes së komisioneve zgjedhore vendore. Kjo deklaratë e Dules ka ardhur në ditën e pesë të grevës së urisë së 11 deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane. Përveç Dules, kundër Kodit të ri Zgjedhor të miratuar nga bashkëpunimi i dy partive të mëdha kanë dalë dhe Partia Demokracia Sociale dhe Partia Agrare Ambientaliste. Pothuajse të gjitha partitë e vogla janë shprehur kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, veçanërisht formulës së përbërjes së KQZ-së dhe komisioneve të administrimit të votës.
Qëndrimi
“Formula e Kodit Zgjedhor, së cilës iu dha edhe dora e fundit, është një formulë pa krye, e pabarabartë dhe jokonkuruese, e cila do të sjellë apriori kontestime për procesin e ardhshëm zgjedhor”, - është shprehur Dule duke u rreshtuar përkrah partive të vogla, deputetët e tre prej të cilave janë futur në grevë urie në sallën e Kuvendit të Shqipërisë prej pesë ditësh. “Megjithëse projekti për Kodin Zgjedhor erdhi për herë të parë në kohën e duhur dhe i formuluar kryekëput nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, pa asistencën e ndërkombëtarëve, është ende larg praktikave europiane, pasi nuk jep garanci se kur do të përfundojë procesi i pajisjes së qytetarëve me dokumente përkatëse për të votuar dhe listave adekuate të zgjedhësve’’, - është shprehur Dule. Kryetari i PBDNJ-së e ka cilësuar minë me sahat monopolizimin e reformës zgjedhore nga dy partitë e mëdha. “Edhe 6 muaj na ndajnë nga zgjedhjet më të rëndësishme parlamentare dhe monopolizimi i dy partive më të mëdha PD-PS për administrimin e zgjedhjeve është një minë me sahat që këto dy parti po i vënë këtij procesi”, - është shprehur Dule, ndërsa ka gjetur rastin të përshëndesë grevën e urisë së 11 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Dule gjithashtu ka bërë thirrje për dialog për të arritur një Kod Zgjedhor gjithëpërfshirës. “Në një shtet demokratik, kryesore është dialogu. Por, përderisa ky nuk është arritur, kuptohet qartë se sistemi ynë demokratik ka deficite akoma shumë të mëdha”, - u shpreh Dule gjatë konferencës së djeshme për shtyp.
Greva
Prej pesë ditësh, 11 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë janë futur në grevë urie pa afat në shenjë proteste kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Deputetët e LSI-së dhe PDK-së protestojnë në veçanti formulën e përbërjes së Komisionit Qendror Zgjedhor dhe komisioneve zgjedhore vendore të administrimit të votave. Ata kundërshtojnë formulën 6+1 pasi sipas tyre dy partitë e mëdha monopolizojnë procesin zgjedhor dhe lënë hapësira për dyshim për manipulim të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Deri tani nuk ka patur asnjë reagim nga dy partitë e mëdha. Vetëm një ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një seancë normale parlamentare duke injoruar grevën e 11 deputetëve.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›