E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PD, shkarkime dhe emërime subjektive

Rezultati i mirë në zgjedhjet e 2007-s, jopërcaktues për postet drejtuese. Në mbledhjet e seksioneve, grindje mes anëtarëve dhe të deleguarve nga kryesia

Eljona Ballhysa
Rezultati i zgjedhjeve lokale të 2007-s për degët e PD-së nuk do të jetë përcaktues për qëndrimin ose jo të drejtuesve aktualë. Burime nga mbledhjet e seksioneve që kanë filluar të zhvillohen prej kohësh në kryeqytet kanë bërë të ditur se takimet janë karakterizuar nga grindjet midis kryetarëve të nëndegëve që do të shkrihen dhe të deleguarve të kryesisë. Kjo për faktin se në poste drejtuese do të qëndrojnë personat që gëzojnë mbështetjen e kryesisë qendrore të partisë, pavarësisht rezultatit që kanë pasur në zgjedhjet lokale të 2007-s. Megjithëse ishte premtuar më parë se rezultati i lartë në zgjedhjet lokale do të ishte përcaktues për mbajtjen e posteve drejtuese nga kryetarët e nëndegëve, duket se kjo po realizohet në mënyrë subjektive. Vazhdon që në PD të praktikohet me procedurat e shkarkimeve dhe emërimeve të personave sipas mbështetjes politike që gëzojnë nga deputetët e zonës apo nga kryetarët e grupeve të punës të deleguar nga kryesia qendrore e partisë. Pritet që kjo praktikë të ndiqet edhe për postet e kryetarëve të degëve.
Zgjedhjet
Aktualisht në të gjitha degët e PD-së në rrethe kanë filluar takimet me bazën për zgjedhjen e kryetarëve të seksioneve. Kryesia qendrore ka miratuar grupet e punës që po mbikëqyrin këtë proces në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa në Tiranë e gjithë kryesia po monitoron në çdo minibashki procesin. Sipas vendimit më të fundit të kryesisë së PD-së, në Minibashkinë Nr. 1 në kryeqytet, kryetar i grupit të punës është vendosur të jetë ministri i Punëve Publike, njëherësh edhe kryetari aktual i degës së PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi. Astrit Patozi, kryetar i Grupit Parlamentar dhe nënkryetar i PD-së po drejton zgjedhjet në Njësinë Nr. 3, kurse sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Ridvan Bode, në Minibashkinë Nr. 4. Pjesë e zgjedhjeve të demokratëve në Tiranë do të jenë edhe ministrat Jemin Gjana, Genc Ruli, Lulzim Basha e Majlinda Bregu, pavarësisht faktit se janë të angazhuar edhe si kryetarë ose nënkryetarë të grupeve të punës, që do të ndjekin zgjedhjet në disa prej qarqeve të vendit. Në Njësinë Nr. 8, e cila përkon edhe me zonën nga ku ka dalë dy herë deputet Besnik Mustafaj, do të drejtojë zgjedhjet ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht zëdhënës i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi. Ndërkohë, nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, do të ndjekë procesin zgjedhor në Njësinë Nr. 9. Përveç 11 minibashkive të kryeqytetit, Gent Strazimiri, zëvendësministër i Brendshëm dhe sekretar për organizatat partnere në PD, po ndjek zgjedhjet në komunat dhe bashkitë e qarkut të Tiranës.
Degët
Ndërkohë drejtues të PD-së kanë bërë të ditur se procesi zgjedhor për postet e kryetarëve të degëve do të fillojë në muajin janar të vitit të ardhshëm. Kryesia ka miratuar kriteret për zgjedhjen e kryetarëve të degëve si dhe procedurën që do të ndiqet në këtë proces. Kryesia e PD-së ka vendosur që kryetarët e degëve të zgjidhen nga delegatët në kuvendet e degëve të PD-së. Pra, të gjitha seksionet që përbëjnë një degë do të zgjedhin delegatët në mesin e tyre. Duke u bazuar në statutin e PD-së, delegat mund të zgjidhet çdo individ që mban teserën e partisë dhe që ka paguar rregullisht kuotizacionet, pra ndihmën financiare për partinë. Pikërisht delegatët do të zgjidhen nga seksionet dhe do të zhvillohet kuvend në çdo degë të PD-së. Në mbledhjen e Kuvendit do të zhvillohet një votim i fshehtë në të cilin do të marrin pjesë të gjithë delegatët. Pikërisht vota e tyre do të përcaktojë se cili do të jetë kryetari i degës së PD-së në të gjitha qytetet e vendit. Po kështu, kryesia ka vendosur edhe kriteret që duhet të përmbushë një person që të jetë kandidat për kryetar dege. Ai duhet të jetë ligjërisht dhe faktikisht banor i degës përkatëse. Të dallohet në opinionin publik për ndershmërinë e tij, për qëndrueshmëri morale e të karakterit dhe të rrezatojë reputacion pozitiv. Të ketë përvojë politike si anëtar i PD-së apo të shquhet si funksionar në administratë, të ketë aftësi drejtuese dhe eksperiencë në veprimtaritë e tjera profesionale jopolitike. Të ketë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së, si dhe të ketë pasur rezultate elektorale më të larta nga ato të zgjedhjeve të fundit, nëse ka qenë më përpara drejtues dege.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›