Berisha nuk tërhiqet: Të numërohet çdo votë
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimi i tij për tu numëruar çdo votë për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, para rezultatit zyrtar që do të japë KQZ-ja. Ky qëndrim është evidentuar qartë edhe në takimin që ai zhvilloi dje me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexandër Arvizu, Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Eugen Wollfarth dhe Kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, në takim u bisedua për zhvillimin e procesit zgjedhor dhe numërimin e votave, i cili po vijon pas mbylljes së qendrave të votimit. Nga ana e tyre, Ambasadorët vlerësuan zhvillimin e qetë të zgjedhjeve dhe vlerësuan deklaratat e Kryeministrit, të bëra mbas mbylljes së procesit të numërimit për Tiranën, që në kushtet e një rezultati shumë të ngushtë, palët duhet të tregojnë durim, deri në daljen e rezultatit final të certifikuar ligjërisht. Ata theksuan se një qëndrim i tillë, i cili tregon lidership, ishte një kontribut i rëndësishëm në këtë fazë të procesit. Nga ana e tij, kryeministri Berisha i falenderoi ambasadorët për kontributin e çmuar që ata dhanë, nëpërmjet angazhimit personal dhe të stafit të tyre, si në ditën e zgjedhjeve, ashtu dhe gjatë numërimit të votave. Por në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë, citohet gjithashtu se Kryeministri theksoi se ai dhe mazhoranca, ashtu si para zgjedhjeve, edhe në këtë moment, qëndrojnë të bindur se çdo votë e hedhur nga zgjedhësit do të vlerësohet dhe numërohet me saktësi dhe se rezultati final do të pasqyrojë saktësisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. “Kryeministri Berisha theksoi se rezultatet e shpallura duhet që të përfshijnë çdo votë të hedhur nga zgjedhësit dhe se administrata zgjedhore ka për detyrë që t’i japë vlerën e duhur, në mënyrë të njëtrajtshme, çdo votë në të cilën zgjedhësi ka shprehur qartë vullnetin e tij”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Kreu i ekzekutivit shprehu besimin e tij se institucionet e mandatuara nga ligji kanë kryer detyrën dhe do të vazhdojnë ta kryejnë atë me saktësinë më të madhe, duke garantuar në këtë mënyrë legjitimitet të plotë të rezultateve përfundimtare. Ai u shpreh se mazhoranca në fund të këtij procesi do të pranojë rezultatet e certifikuara sipas ligjit. Kryeministri gjithashtu nënvizoi se sistemi i numërimit rikonfirmoi se, ashtu si në 2009, procesi shqiptar i numërimit të votave siguron transparencë të plotë, besim të palëve e për rrjedhojë shmang ankimet mbi rezultatin.