Ristani: Rama deri tani +10, por rezultati mund të ndryshojë
TIRANË- Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka deklaruar mbrëmë se vota e çdo votuesi duhet numëruar. “Nuk mund të ketë një votë që nuk ka vlerë. Ai votën nuk e solli nga shtëpia, por ia dha komisioni i qendrës së votimit. Ka pasur udhëzim edhe për komisionet që t’i orientojnë zgjedhësit për kutitë e votimit. Ato janë kuti të qendrës së votimit. Ligji nuk ka asnjë parashikim për këtë”, - tha mbrëmë Ristani në emisionin “Opinion”. Duke iu referuar interpretimit të një neni të Kodit Zgjedhor, mbi pavlefshmërinë e fletëve të votimit, Ristani sqaroi se nëse vota është hedhur në kutinë e gabuar, nuk mund të jetë e pavlefshme. “Ajo ka formatin që ne kemi miratuar, nuk mund të jetë e falsifikuar”, - tha ai. Ristani shtoi se deri tani duhet të jenë 50-60 fletë të evidentuara, që mund të shkojnë deri në 100. Kryetari i KQZ-së tha se në këto kushte mund të ndryshohet edhe rezultati. “Sigurisht që mund ta ndërrojnë rezultatin dhe ne po presim ta bëjmë këtë hetim, duke vlerësuar çdo fletë të hedhur në kuti”, - shtoi ai. Kryetari i KQZ-së theksoi se nëse do ketë pretendohet nga subjektet për ta bërë për të gjithë Tiranën, atëherë institucioni që ai drejton do ta bëjë. “Në çdo kuti të numëruar, nëse do ketë pretendime nga subjektet, do ta bëjmë. Mund të rishikojmë votat e pavlefshme dhe të kontestuara, nëse do ketë pretendime nga partitë”, - tha Ristani. Ai theksoi se vota të pavlefshme mund të jenë rreth 6 mijë. “Nëse palët do të kenë pretendime se vlerësimi i tyre është bërë i padrejtë, ne do ti shkojmë prapa për ta shqyrtuar këtë”, - shtoi ai. Kryetari i KQZ-së tha gjithashtu se ky proces nuk do të thotë ndryshim rezultati në tavolinë. “Ai do të ishte i tillë nëse, duke përdorur teknikalitete ligjore, përpiqesh të deformosh rezultatin. Di me saktësi se në disa qendra, fletët e votimit janë hedhur bashkë me kundra fletën. Kjo është shkelje...”, tha ai. Kryetari i KQZ-së theksoi se procesi ende nuk ka përfunduar. “Ka përfunduar një pjesë e numërimit, por ende ka shumë kuti të panumëruara dhe me sa duket ky proces mund të ketë edhe ndryshime në shifrat paraprake, që mund të mblidhen deri në këto çaste”, tha Ristani. Ai theksoi se me këtë fenomen u ndeshën vetëm në fund të procesit të numërimit, atëherë kur rezultati ishte tepër i ngushtë. “Ka vota ende të pavlerësuara, që kanë krijuar problem në numërimin në KZAZ. Ka vota për kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiake, të hedhura gabimisht në kutitë e tjera. KZAZ-të nuk dinë se si ti vlerësojnë dhe i vlerësojnë me jo të njëjtin standard. Duhet të ishte mbajtur një qëndrim nga fillimi në fund, por tani u ndeshëm me problemin. Me sa duket komisionerët dhe numëruesit, të cilët janë partiak, tani janë bërë më të vëmendshëm ndaj çdo vote që gjejnë në kuti, e sigurisht edhe për shkak të diferencës së ngushtë të votimit”, tha ai. Ristani shtoi se askush nuk është ankuar dhe përballur me këtë fenomen, pasi diferencat më parë kanë qenë të mëdha. Kryetari i KQZ-së tha gjithashtu se nga të dhënat paraprake, Edi Rama është 10 vota para kandidatit Lulzim Basha. “Ky është tërësisht rezultat që ne e kemi pasur të shpallur, por procesi nuk ka mbaruar ende”, - shtoi ai. I pyetur mbi votat e kontestuara, Ristani tha: “Personalisht do mendoja që nëse këto vota do konsiderohen të vlefshme, do ti shtohen tabelave të qendrave përkatëse. Këto natyrisht që do të japin një rezultat tjetër në tabelat përmbledhëse. Pas kësaj, nis edhe procesi i ankimimit”. Ristani u pyet edhe për mësymjen e deputetëve të PS në KQZ. “Ata nuk duhet të pushtojnë në një mënyrë të tillë institucionet e shtetit. Duhet t’i kërkojnë falje publikisht KQZ-së dhe administratës së saj. Isha i detyruar të ndërprisja mbledhjen, por më pas këta njerëz nuk dolën më nga salla. Është si të vijnë tek salla jote me bukë me vete e të rrinë këtu. E kishin bërë sallën edhe me thërrime”, - tha Ristani. Por përpos pretendimeve të deputetëve të PS-së, kryetari i KQZ-së tha se, institucioni që ai drejton do të numërojë çdo votë që zgjedhësit e kanë hedhur në kutinë e votimit, duke i dhënë vlerën që vet zgjedhësi i ka dhënë kur ka votuar. I pyetur për praninë e deputetëve të PS-së sot në mbledhjen e KQZ-së, Ristani paralajmëroi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. ”S’mund të lejojmë që institucioni të pushtohet në mënyrë të paligjshme”,- tha ai