Berisha nxit sigurimet për hapjen e pensioneve private
Së shpejti, Qeveria do të nisë përmirësimin e legjislacionit për tregun e sigurimeve. “Qeveria do të vazhdojë të mbështesë tregun e sigurimeve. Ne po përmirësojmë legjislacionin. Ne po hapim hapësira të reja, jemi gjithnjë e më shumë për sigurimin e jetës në disa sektorë ku risku është i lartë si sektori i ndërtimit, transporti, minierat. Ne po punojmë për gjetur stimuj fiskalë për ata, të cilët sigurojnë jetën apo për pensionin e tyre. Fondi privat i pensioneve, në të ardhmen e afërme, do të jetë një nga aktivitetet më të rëndësishme të kompanive në tregun e sigurimeve”, është shprehur dje kreu i Qeverisë Sali Berisha. Kryeministri ka inkurajuar kompanitë që operojnë në tregun e sigurimeve në Shqipëri, që të kthehen në investitorë të fuqishëm në fusha të ndryshme. “Tregu i sigurimeve u rrit me 26 për qind dhe unë mendoj se kjo është rritja më e madhe, por që gjithsesi është ende larg nivelit të Bashkimit Evropian”, u shpreh dje kryeminsitri gjatë konferencës rajonale të “Uniqa Group Austria”. Në konferencën e organizuar nga “Sigal Uniqa Group Austria”, merrnin pjesë Konstantin Klien CEO i Uniqa Group Austria, Jeffrey Griffin, kryetar i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, si dhe kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Sigal Holding, Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i “Sigal Uniqa Group Austria”, si dhe përfaqësues të shoqërive të sigurimeve në rajon.