Ruçi: Rama donte të largohej nga PS pas zgjedhjeve
Kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, gjatë një interviste në emisionin “Ora e debatit” në televizionin “Ora News”, me gazetarin Alfred Peza, flet për bojkotin e PS-së dhe zhvillimet në PS. Asambleja Kombëtare vendosi pak ditë më parë bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit, do të thotë një thellim i bojkotit. Ku po shkon në këtë mënyrë PS?
Së pari, do të thosha që pavarësisht se ju në pyetjen tuaj dhe opinioni publik në tërësi e quan bojkot, ne e kemi quajtur kushtëzim të pjesëmarrjes sonë në jetën parlamentare. Pra kemi përcaktuar disa kërkesa, kemi përcaktuar shtatë apo tetë kushte. Mospjesëmarrja jonë është rrjedhojë e së parës. Ne mendojmë se lufta për votën e lirë është një betejë që patjetër Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë dhe duhet ta fitojnë. Pra, nuk ka asnjë lloj rëndësie dhe nuk do të ishim aspak serioze nëse forca jonë politike, pasi ka ngritur një çështje thelbësore, pas 20 vitesh demokraci, ky vend dhe ky popull ka dëgjuar komentet e ndërkombëtare, herë më mirë se e kaluara, herë një hap përpara, herë një hap pas, por asnjëherë zgjedhje të lira dhe demokratike. Pra nuk kanë asnjë rëndësi dhe asnjë vlerë se kush do të fitojë për një vit që i ka ngelur qeverisjes së pushtetit vendor, nëse Shqipëria nuk vendos një herë e mirë që ky vend dhe ky popull do të shikojë për herë të parë zgjedhje vërtetë të lira, zgjedhje vërtetë demokratike dhe në pushtet apo në qeverisje që jep ai për të cilin vendos sovrani, populli.
Ju keni 18 vjet në politikën shqiptare. Ne e dimë që në zgjedhjet e vitit 1997 opozita i ka kundërshtuar zgjedhjet. Kemi 12 vjet deri në 2005 që dëgjonim vazhdimisht nga opozita e kaluar betejën për votën e lirë. Kishim PS-në nga ana tjetër, që keni dënuar vazhdimisht bojkotin e opozitës në atë kohë. Pra, keni qenë ju dënuesit nga më të fortë që keni dënuar bojkotin në total. A ka kuptim sidomos në gojën tuaj të flitet për bojkot në 2009?
Është e vërtetë ajo që thoni ju, që unë vajta 18 vjet në jetën politike shqiptare dhe i kam ndjekur me shumë vëmendje të gjitha zgjedhjet. Do të thosha, në 18 vjet demokraci dy palë zgjedhje kanë qenë të pakontestuara, në atë kuptim që thoni ju, zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe zgjedhjet e 22 marsit të 1992. Në çdo kohë ka pasur kontestime, ka pasur vërejtje, nuk ka pasur mosplotësim standardesh, por dy palë zgjedhje veçohen në tërë morinë e këtyre zgjedhjeve.
Ato i ka pasur Partia e Punës...
Për fat të keq, është koha që ato zgjedhje i ka bërë Partia Punës. Kjo është një arsye më shumë që ne që e quajmë politikanë veten të kohës së demokracisë, duhet të skuqemi. Unë do të thosha që atëherë politika dhe politikanë s’kishin mësuar këto hile që po ushtrojnë politikanët e ashtuquajtur të demokracisë. Unë do të thosha që dy palë zgjedhje veçohen, zgjedhjet e majit të 1996 dhe zgjedhjet e 2009. Këto dy palë zgjedhje s’kanë asgjë të krahasueshme për dy arsye. E para se 2009 nuk është 1997 as 2001 dhe së dyti, unë përsëri do të them se në asnjë rast dhe asnjë moment, pushteti i atëhershëm, i 2001 apo 2005. Ne kemi pasur kontestime, ne ishim në pushtet, organizues të zgjedhjeve dhe kishim kontestime për zgjedhjet megjithëse ishim në pushtet. Pra ne kemi dhënë prova të mjaftueshme dhe përballje me opinion publik që në asnjë rast dhe në asnjë moment, përjashto zgjedhjet e 1997, nuk është anatemuar Partia Socialiste dhe nuk ka asnjë provë që Partia Socialiste ka vënë dorë mbi kutitë e votimit, që ka vënë dorë mbi rezultatin e zgjedhjeve. Ka pasur një akuzë të hershme të PS-së, bëhet fjala për të ashtuquajturin mikrodushk, në të cilin u shfrytëzua një gjë që ligji e lejonte, nuk e ndalonte dhe atë mundësi e krijoi Partia Demokratike duke mos zhvilluar zgjedhje në raundin e parë, që në fund të fundit ne pranuam. Pranuam atë konkluzion që arritën partnerët tanë ndërkombëtarë, OSBE-ODHIR, që maxhoranca aktuale ka legjitimitetin e qeverisjes, por nuk ka legjitimitetin për të zgjedhur Presidentin. Ne pikërisht këtë konkluzion që partnerët tanë ndërkombëtarë iu referuan Shqipërisë, qenë për herë të parë që ajo maxhorancë megjithëse i kishte numrat “de jure” nuk ushtroi mandatin kuvendor për të zgjedhur President atë që mendonte ajo, por zgjodhi një President të propozuar nga e djathta. Pra, unë me të gjithë këto që thashë, jo vetëm nënvizoj që nuk ngjasojnë zgjedhjet e 1996 me 2009, me zgjedhjet e zhvilluara në kohën që Partia Socialiste ka qenë në pushtet, por njëherësh jemi në kushte të tjera. Së pari, njëherë varet se nga cili këndvështrim i shikojmë. Sigurisht në vitin 2009 do të jenë zgjedhje më të mira se në 2007, edhe se në 2005, për një tog arsyesh, për arsye se edhe ky vend ecën. Por kur vjen puna që cila është ajo shpejtësi e ecjes që ndërkombëtarët kërkojnë për Shqipërinë dhe cilësinë e ecjes, sot e kësaj dite që zoti Berisha del në konferencë shtyp dhe i quan të shkëlqyera, sot e kësaj dite si ambasadori i OSBE dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, edhe raportet që ata kanë nxjerrë nuk flasin për një gjë të tillë, por flasin që këtij vendi sot i kërkohen parametra, i kërkohen standarde të një vendi anëtar i bashkimi të NATO-s, të një vendi që mendon të jetë në paradhomën e BE-së. Pra, kërkohet një standard. Aq më tepër që jo vetëm standardet nuk i ka plotësuar, por sipas pikëpamjes tonë, jo vetëm që s’ka bërë hapa para, por ka bërë hapa prapa.
Është bojkoti zgjidhje?
Absolutisht nuk është bojkoti zgjidhje. Por ama a është e drejtë që në 2009 të kërkohet thjesht transparencë për zgjedhjet? Që në 2009 thjesht të kërkohet që TVSH të jetë vërtetë publik? A është e vërtetë që në 2009 mësuesi i matematikës, biologjisë, apo kimisë, të pushohet nga puna se ka marrë pjesë në një miting, jashtë orarit të punës, apo kanë qenë komisionerë? A është normale që sot në 2009 të dalë i burgosuri nga burgu dhe të përdoret për fushatë elektorale? A është normale që sot në 2009 të përdoren paratë e taksapaguesve shqiptarë për të spekuluar me votën e elektoratit shqiptar nga ky fukarallëk, veçanërisht në zonat rurale. A është normale? Atëherë le të dalë një analist si ju dhe të më thotë që kërkesat e opozitës nuk janë demokratike, nuk janë legjitime, nuk janë normale. Shumë veta thonë që nuk janë provuar, kjo kërkon të provohet.
A ka humbur apo jo PS zgjedhjet?
Humbjen në planin e verdiktit që ka dhënë elektorati shqiptar duhet vlerësuar në dy pamje. Sipas Kodit Elektoral, Partia Socialiste ka humbur dhe është në opozitë, është në opozitë. Në planin moral dhe politik po të krahasojmë PD dhe PS, PS është e fituar. Ore zotëri le të hapen këto kuti dhe të mos vërtetohet asnjë pretendim që ne kemi. Atëherë ne do të dalim dhe do të themi, popull shqiptar, kundërshtari im politik më fal, unë kam gabuar, zgjedhjet kanë qenë tërësisht të lira dhe ju s’keni vënë fare dorë në kutitë e votimit.
Ju personalisht keni përgjegjësi pse ka humbur PS? Nëse po, sa është kjo përgjegjësi?
Sigurisht që unë kuptoj tendencën tuaj për të artikuluar dhe për të evidentuar togfjalëshin që PS ka humbur. Nëse do të ishte e vërtetë kjo, përgjigje e kësaj të vërtete do të pritet vetëm kur të bëhet kjo transparencë dhe atëherë që kërkoni nga unë dhe për herë të parë nga Partia Socialiste. Ajo që artikulova unë ishte fjala që sot PS është në opozitë, derisa është në opozitë, s’është fituese, që sot PS ka më 10 mijë vota më shumë se PD, që PS pretendon për 30 mijë vota të tjera të vjedhura minimumi nga maxhoranca aktuale, dhe që sot PS kërkon që këto pretendime që ajo ka, këto kërkesa që ka, të hapen para publikut shqiptar, para analistëve shqiptarë dhe të verifikohen, ka të drejtë apo s’ka të drejtë. Vetëm atëherë merr përgjigje pyetja, ka humbur apo ka fituar, në planin moral dhe politik, se në planin institucional Sali Berisha është në pushtet, ne jemi në opozitë. Ne kërkojmë të vendosim një standard, ne nuk kërkojmë t’i marrim pushtetin Sali Berishës. E dyta, edhe kur të bëhet kjo transparencë, unë dhe kolegët e mi kemi parë dhe do të vazhdojmë të shikojmë me sy kritik çfarë eci tek PS. Kjo është punë dhe përgjegjësi e familjes sime politike dhe PS ka filluar këtë proces, ka filluar dhe do të fillojë brenda këtij muaji, sipas vendimit të fundit të AK, në çdo qelizë, pranë çdo qendre votime ne kemi strukturën. Do ta fillojmë analizën nga çdo anëtar i partisë, para çdo qendre votimi. Në fund do të arrijmë në konkluzionet përkatëse. Pra, kjo përgjegjësi që ju shtroni, nuk mungon që nga kryetari i partisë. Shpesh, në momentet e para të përfundimit të zgjedhjeve, ju keni ngritur një debat, qoftë edhe në këtë studio, që do të japë dorëheqje Edi Rama, që s’do japë dorëheqje Edi Rama, që do të kandidojë Edi Rama, që s’do të kandidojë Edi Rama. Pikërisht, edhe Edi Rama, në zbatim të atyre rregullave të brendshme që ka PS dhe atij morali politik që ka PS, ndërpreu mandatin e tij fjalë për fjalë, siç e kërkon statuti i PS dhe u votua tek PS. PS dhe anëtarësia e saj, në mënyrën më demokratike i dha një verdikt.
Si e ndërpreu mandatin zoti Rama, ai tha që unë s’largohem? Edhe deklaroi që e ka shkruar vetë në statut, tha që meqë zgjedhjet janë vjedhur, unë nuk largohem.
Edi Rama, ishte kryetar, më andej ndërpreu mandatin e tij dhe kandidoi së bashku me një kandidat tjetër, dhe konkurroi një alternativë të tijën, nga pika zero, sikur të mos kishte qenë kryetar.
Statuti i PS në asnjë vend nuk thotë kryetar në detyrë. Por me sa dimë ne, sipas statutit tuaj duhet të ishit ju në këtë fazë transitore, si kryetar i Asamblesë Kombëtar, kryetar i partisë, në përgatitje të Kongresit, në kushte të barabarta me konkurrentët. Kjo nuk ndodhi...
Statuti i PS thotë fjalë për fjalë që mandati ndërpritet, mandati i tij u ndërpre dhe u fillua një garë elektorale, brenda PS dhe kjo është fare normale. Nuk ka vend bosh për kryetarin, se larg e tutje është shëndoshë e mirë me shëndet dhe është normale që një kryetar të mos ta lërë detyrën e kryetarit derisa të vinte. Ai mund të mos konkurronte fare. Për një çast marrim rastin momentin që Rama s’do të kandidonte. Çfarë do të ndodhte? Do të largohej Edi Rama pa ardhur kryetari në detyrë...
Mund ta drejtoni ju zoti Ruçi...
S’është normale. Nuk përcaktohet në statutin e partisë që kryetari i partisë zëvendësohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare.
Është e vërtetë që direkt pas zgjedhjeve zoti Rama dëshironte të largohej nga kreu i PS-së dhe jeni ju që e keni bindur atë që të qëndrojë nga kreu i PS?
Unë jam kundër këtyre zërave dhe kundër këtyre deklarimeve. Vizioni im për një kryetar partie është krejt ndryshe, jo kushdo mund të dalë kryetar partie. Të gjithë mund të dëshirojnë, mund të aspirojnë, por jo kushdo mund të bëhet kryetar partie. Pse? Partia është frymë. Pra, që të dalësh kryetar partie duhet të të ndjejë anëtarësia dhe ti duhet të ndjesh anëtarësinë. Le të marrim Edi Ramën. Ajo që unë kam parë meqë, më falni për mungesën e modestisë, për arsye të kohëzgjatjes pa u shkëputur nga drejtimi i PS, kam ndjerë një gjë, në 2005 e kërkonte Edi Rama PS-në, nuk e kërkonte anëtarësia Edi Rama, e kërkonte Edi Rama për tu bërë kryetar i PS. Në atë kohë ka pasur një problem, që Edi Rama megjithëse ishte kandidat i PS-së në gati dy mandate, por kishte ardhur jashtë gjirit të PS-së, të asaj pjesës tradicionale të të qenit socialist. Ai kishte një problem, që s’ishte kaq e lehtë që Edi Rama kryetar ta ndiente PS-në dhe anëtarësia e PS-së të ndjenin kryetarin e tyre. S’është problem i vogël ky, është problem shumë i madh ky ishte fillimi. Le të vijmë në 2009. Nëse në 2005, kërkonte Edi Rama të bëhesh kryetar i PS, në 2009, kërkonin socialistët që të kishin për kryetar Edi Ramën. Pse? Sepse ishte plotësuar ky hendek i madh në 2005, që në 2009, socialistët e ndjenin për kryetar Edi Ramën.
Më thoni një kryetar partie që ka hequr anëtarësia. Askush. Ka ikur vetë, pasi ka humbur zgjedhjet dhe ka ikur. Do të ishin përjetshëm kryetarët nëse do të vendosi anëtarësia kush do të rri kryetar. Zoti Nano do të ishte kryetar i PS nëse s’do të ikte vetë në 2005?
Mund të të them një gjë që, Edi Rama iku dhe anëtarësia e PS-së në plotësim të pyetjes suaj, kishin në dorë ta hiqnin Edi Ramën. Madje shumë është lançuar që ka pasur peticione nga strukturat e PS-së dhe nga anëtarësia e PS-së, që Edi Rama të mos japë dorëheqjen. Mund të kishte peticione të tjera, duke filluar që nga unë që flas, që Edi Rama, jo vetëm të ndërpresë mandatin, por të mos guxojë të kandidojë për kryetar i Partisë Socialiste. Ashtu sikurse është e drejtë e tij edhe për të konkurruar dhe ishte përsëri e drejtë normale e anëtarësisë së PS, që me atë anën që të jep demokracia, vota e fshehtë, ta hiqnin Edi Ramën. Koha vërtetoi dy gjëra, që anëtarësia e PS-së, ka pasur një trysni shumë normale, për mosndërprerje të mandatit të Edi Ramës. Ka pasur një trysni të anëtarësisë për kandidim të Edi Ramës dhe Edi Rama plotësoi të dyja kushtet, edhe për anën morale dhe institucionale që statuti kërkon, edhe atë që anëtarësia e PS i kërkonte si detyrim Edi Ramës. Ai rikandidoi. Besoj se pjesëmarrja e socialistëve në votim dhe vota që Edi Rama mori, besoj që nuk kanë nevojë për komentet e mia.
Nuk më kthyet përgjigje për zotin Nano...
Nuk e di, duhet provuar, ajo është e paprovuar. PS në këto 18 vjet ka provuar shumë gjëra, ka provuar kryetarin në burg, është administruar dhe drejtuar në një kohë tepër të vështirë në mënyrë kolegjiale nga pjesa tjetër e udhëheqjes, ashtu sikurse ka provuar dorëheqje të kryetarit, ashtu sikurse ka provuar ndërrimin e disa kryeministrave. Mos harroni që brenda 8 vitesh qeverisje kemi ndryshuar 6 kryeministra. Dy herë Nanon, dy herë Majkon dhe dy herë Metën. Po ashtu edhe disa ministra. Ashtu sikurse ka provuar dorëheqjen e kryetarit, ashtu sikurse ka provuar edhe ndërprerjen e mandatit të kryetarit dhe rizgjedhjen e kryetarit në mënyrën më të mirë dhe më demokratike.
Zoti Rama menjëherë pas 28 qershorit është konsultuar me ju për të dhënë dorëheqjen për t’u larguar nga kreu i PS?
Sigurisht që unë jam pjesë e PS dhe unë kur thashë që kam konsultuar ose dhashë një mendim që nëse në 2005 Edi Rama donte drejtimin e PS, ndërsa në 2009 socialistët duan në drejtim Edi Ramën. Sigurisht që edhe unë s’bëj përjashtim dhe mendimi e gjykimi im nuk ishte se unë Gramoz Ruçi dua Edi Ramën, absolutisht jo.
Korrespondon që edhe në 2005 edhe tani, ju jeni që e doni...
Nuk funksionon kështu partia. Meqë pyetët në 2005, unë kam qenë skeptik. Kam qenë shumë skeptik në një kuptim, në atë që ju thashë qëparë, nuk shikoja që socialistët të ndienin për kryetar Edi Ramën. Ndërsa sot jam me këtë mendim, s’është mendim për interesa meskine të Ruçit, apo personale të Ruçit, apo individuale të Ruçit, apo Ruçi përdori kreditin e tij për të mbajtur Edi Ramën kryetar. Përkundrazi, Ruçi do të ishte e pafalshme vërtetë nëse nuk do të lexonte atë frymë që lexoi në 2005, po ashtu edhe atë frymë që ishte në 2009.
Ju po thoni që në 2009 zoti Rama dha dorëheqjen por për shkak se ekzistonte fryma që PS e donte zotin Rama, ju bashkë me strukturat e PS sollët këtë zhvillim?
Po, strukturat e Partisë Socialiste.
Përgjigjja ishte po. Domethënë zoti Rama ka dashur të largohet pas 28 qershorit, por nuk e kanë lënë struktura e partisë?
Po, patjetër.
Po nëse ato hyjnë në Parlament, do të hiqen?
Unë nuk shtie fall. Nuk do të dëshiroja aspak që asnjë nga pjesëtarët e familjes sime politike të thyej këtë vendim politik të Partisë Socialiste. Nuk do ta dëshiroja megjithëse nuk mjafton dëshira ime. Duhet edhe vullneti i kolegëve. Nëse dikush bën zgjedhjen e tij, është i lirë në demokraci. Por the që PS në asnjë rast nuk ka bërë “gjueti shtrigash”, nëse dikush bën një zgjedhje, në mbledhjen e fundit të Asamblesë, një kolegu i AK më tha që kjo mbledhje duhet të kishte filluar me qëndrimin që duhet mbajtur për Shpëtim Idrizin. I thashë, pse duhet të fillojë me këtë? Dikush tjetër nuk kuptohet që bashkë me ikjen e njërit duhet të marrë dhe mandatin e atij, që të vijë tjetri. I shpjegova që është një zgjidhje që ka bërë zoti Idrizi, i cili formoi një parti të re, është zgjedhja e tij, në raste të tilla, PS as e vendos në analizë, as e ve në paralizë, as e ndëshkon. Përkundrazi, e çregjistron si anëtar i PS-së. Për sa i përket mandatit. Mandati është në liritë dhe të drejtat e të zgjedhurit. Edhe në rastin konkret, secili bën zgjedhjet e tij. Unë këtu jam si kryetar i AK dhe s’do të dëshiroja askënd që të bënte një zgjedhje jashtë këtij verdikti, tashmë të dhënë në maxhorancë nga Kryesia e partisë, nga grupi parlamentar. Mbi të gjitha të mos harrojmë një gjë, nga anëtarësia e partisë. Të mos harrojmë që votimi për Edi Ramën s’ka qenë thjeshtë, do të ishte Edi Rama apo Maqo Lakrori kryetar partie, ka qenë edhe për një element të veçantë që ne po e diskutojmë kaq gjerë edhe kaq gjatë, ka qenë që të marrë pjesë apo të këmbëngulë PS në këto kushte, në këto kërkesa që e ka shtruar përpara maxhorancës apo jo. Votimi ka qenë plebishitar, e gjithë anëtarësia e partisë ka qenë në një referendum në parti. Që absolutisht PS, grupi parlamentar, Kryesia e partisë, AK, të mos shendojë nga plotësimi i këtyre kushteve dhe këtyre kërkesave.
Zoti Nano ka bërë një deklaratë shumë të fortë, që njerëz pranë kryetarit të PS e kanë kërcënuar me jetë. Ju si e komenti këtë?
Për këtë s’dua të komentoj. Unë nuk di një element të tillë, absolutisht mund ta thotë publikisht nga partia, është e drejtë kujtdo. Unë e kam dëgjuar në dy intervistat që ka dhënë zoti Nano, sigurisht që unë kam qenë një bashkëpunëtor i vjetër, i ngushtë madje, është një realitet. Në të dyja intervistat e tij për zhargonin e përdorur si pjesëtar i familjes sime politike, për atë që deklaroi lidhur me para votimit me PS-në dhe atë që deklaroi pas votimit, se s’kishte votuar PS-në, s’ka se si të jem dakord.
Jeni dakord me zotin Rama kur thotë që Nano-Meta-Berisha janë në një kamp?
Unë s’kam ndonjë dallim nga ajo që deklaron Edi Rama dhe ajo që deklarova unë këtu është kjo, që nuk do ta dëshiroja dhe nuk do ta mendoja kurrën e kurrës që Fatos Nano si themelues i PS, si drejtues i PS për 15 rresht, tre ditë para zgjedhjeve të shprehte verdiktin e tij ndaj forcës së tij politike dhe një muaj pas zgjedhjeve të deklaronte votën e tij kundër PS. Këtë nuk do ta dëshiroja kurrë, nuk do të dëshiroja ta dëgjoja. Sigurisht është e hidhur, por ky është realiteti. Atëherë ky realitet nuk ka as më shumë dhe as më pak se ai qëllim dhe ajo alternativë që përfaqësonin kundërshtarët tanë politikë. Nuk doja ta shikoja Fatos Nanon kundërshtar të forcës sime politike. Ky është realiteti dhe sado i hidhur duhet pranuar.