E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurtaj, "vjedhja" e radhës e federatës greke

 

Leonard Karaj

Klubi i Olimpiakosit nuk ka lejuar që futbollisti shqiptar Vasil Shkurtaj të grumbullohet me Kombëtaren e moshave në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e FSHF-së.  Vasil Shkurtaj mund të jetë vjedhja e radhës e grekëve. Ashtu si ndaj Sotir Ninit, edhe ndaj talentit 17-vjeçar po ndiqet e njëjta strategji: moslejimi për në Kombëtaren shqiptare dhe më pas pajisja me pasaportë greke. Dy vjet më parë ishte Sotir Nini ai që sapo shpalosi talentin  tij në fushat e futbollit në vendin fqinj, u izolua nga drejtuesit e Panathinaikosit dhe të federatës greke me qëllimin e vetëm që ai të mund të pajisej me nenshtëtesi greke dhe të luante për Kombëtaren e Oto Rehagel. Dy vjet më vonë përsëritet historia. Këtë herë është Vasil Shkurtaj, talent shqiptar që luan te skuadra U-21 e Olimpiakosit. Sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, lojtari nuk është lejuar që të grumbullohet nga Kombëtarja jonë e moshave U-19 për miqësoret që po zhvillon me pretekstin se këto ndeshje nuk janë zyrtare. Ndërkohë nga ana e tij Vasil Shkurtaj mësohet të jetë shprehur pro grumbullimit me Kombëtaren shqiptare duke refuzuar, të paktën për momentin ngjyrat helene. Shkurtaj rrjedh nga një familje vlonjate, por i lindur në Greqi. që në moshë fare të re ai u bë pjesë e Akademisë së Ajaksit dhe më pas PSV-së në Holandë por vetëm fakti se nuk kishte dokumenta të rregullta (ishte ekstra-komunitar) talenti shqiptar është detyruar të kthehet në Greqi ku është futur tek Akademia e Olimpiakosit. Ai është vetëm 17 vjeç por gjatësia prej 192 cm dhe zhdërvjelltësia në fushën e lojës kanë bërë që mediat dhe specialistët ta cilësojnë si "Ibrahimoviçi shqiptar". Një muaj më parë vetë trajneri i Olimpiakosit, braziliani Ziko e ka ndjekur në një ndeshje kontrolli ku Shkurtaj shënoi dy gola dhe i mahnitur nga talenti i tij ka kërkuar që ai të bëhet në dhjetor pjesë e skuadrës së parë, të cilën drejton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›