TEC-i i Vlorës, zbardhet qraporti i kontrollit të BB
Fabiola Çela
Zbardhet raporti i kontrollit të Bankës Botërore mbi TEC-in e Vlorës. Pas kontrollit paneli i inspektimit ka dalë në rezultatin se Banka Botërore nuk kishte respektuar disa dispozita të politikave të Bankës në lidhje me vlerësimin e projektit, vlerësimin mjedisor, menaxhimin e pasurive kulturore dhe vlerësimin ekonomik. Gjithashtu, paneli konstatoi mangësi të ndjeshme në përmbushjen e kërkesave të politikave të Bankës për konsultimet. Megjithatë, paneli i inspektimit pranon se termocentrali tashmë është ndërtuar dhe vëmendja duhet drejtuar te funksionimi i tij në të ardhmen. Sipas drejtuesve të Bankës Botërore, mungesa e energjisë elektrike pengon zhvillimin ekonomik të vendit.
Raporti
Ndërtimi i TEC-it në Vlorë është kundërshtuar ashpër nga shoqatat ambientaliste, pasi sipas tyre ndërtimi i tij do të ndikonte në ndotjen e mjedisit. Në maj të vitit 2007, paneli i inspektimit mori një kërkesë për inspektim nga Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës në emër të banorëve të Vlorës. Kërkesa ngrinte një sërë shqetësimesh mjedisore, sociale, kulturore dhe ekonomike, që lidheshin me projektin siç ishte hartuar. Verner Kiene, kryetari i panelit të inspektimit vuri në dukje: “Përsa i takon të ardhmes, paneli shpreh kënaqësinë që ekipi menaxhues pajtohet me nevojën për një plan të detajuar për reagimin ndaj derdhjeve të naftës përpara se termocentrali të vihet plotësisht në punë. Eshtë e nevojshme të sigurohet sa më parë blerja pa vonesë e pajisjes së nevojshme si dhe të ndihmohen autoritetet shqiptare për të ngritur strukturat e duhura për të bërë të mundur një reagim të shpejtë ndaj rrjedhjeve të mundshme të naftës, që mund të kërcënonin Gjirin e Vlorës dhe industrinë e turizmit atje. Paneli konstaton se Banka ka punuar ngushtë me Qeverinë në hartimin e ligjit për ‘Planifikimin e territorit’ dhe shpreh kënaqësinë që ekipi menaxhues njeh nevojën e një planifikimi të përgjithshëm për Gjirin e Vlorës”. Ekipi menaxhues vlerëson konkluzionet e panelit që termocentrali nuk do t’i tejkalojë kufijtë e lejuar për lëshimin e gazrave dhe shkarkimin e ujërave ftohës, pra nuk do të ndikojë negativisht në Lagunën e Nartës, si dhe nuk ka sjellë ndonjë dëmtim ose shkatërrim të ndonjë trashëgimie kulturore ose të habitateve të rëndësishme natyrore. “Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë paguan një çmim të lartë nga mungesat në furnizimin e vendit me energji elektrike”, tha Filip Le Huero, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Por janë shqiptarët ata që paguajnë çmimin përfundimtar – duke u privuar nga ndriçimi, ngrohja, ftohja dhe gatimi, të cilat prekin cilësinë e jetës dhe shëndetit, si dhe u kufizon mundësinë për arsimim. Ne po punojmë me qeverinë shqiptare për ta bërë këtë projekt më të mirin e mundshëm. Ne do t’i përvetësojmë mësimet që përcaktoi Paneli i Inspektimit dhe do t’i zbatojmë ato më gjerësisht në punën tonë”.