E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, ofertë për pakt me PS



ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha propozon fillimin e bashkëpunimit me opozitën në Kuvend për dy ligje, të cilat prekin ndryshimin e Kushtetutës dhe të Kodit Penal. Bëhet fjalë për ligjin për heqjen e imunitetit për veprën e korrupsionit si dhe ligjin për faljet. Për të dyja këto drafte kërkohet vota e opozitës, bojkoti i së cilës i lë ato në sirtarët e Kuvendit.
Heqja e imunitetit
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i maxhorancës ftoi sërish opozitën për të votuar në Kuvend ligjin për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë për veprën e korrupsionit. Sipas tij, shumica parlamentare është e hapur për të pranuar të dyja variantet, ose votimin e ligjit me udhëzimet e dhëna nga Komisioni i Venecias, ose ndryshimin e ligjit themeltar të vendit. “Po të dojë të zbatojë udhëzimin e Komisionit të Venecias dhe të bëjë ndryshimet ligjore në përputhje me ato ndryshime, por, edhe sikur ndryshimet kushtetuese të bëhen, do të ishte një shërbim jashtëzakonisht i madh që do t’i bënim këtij vendi dhe këtyre qytetarëve”, u shpreh Kryeministri. Për të përshkruar bashkëpunimin me opozitën, Berisha risolli para deputetëve, bashkimin e votave për heqjen e imunitetit të prokurorëve. “Në Shqipëri nuk duhet të ketë imunitarë në raport me korrupsionin, pavarësisht nga komentet, por kjo maxhorancë, dhe në kundërshtim flagrant me bindjet e saj, në kundërshtim të hapur me të gjithë opinionin e vet, ka votuar dhe do të votojë çdo kërkesë që Qeveria apo gjykatat e vendit do të paraqesin për anëtarët e saj për imunitetet. Por, mirë është t’ua hapim rrugën, ne të gjithë së bashkë me Partinë Socialiste bëmë ligjin për heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe e bëmë shumë mirë”, u shpreh Kryeministri. Kërkesa e parë për heqjen e imunitetit ishte nga PD-ja në vitin 2004, kur ajo ishte në opozitë, por që u refuzua nga PS-ja në Qeveri. Më pas, pas zgjedhjeve të 3 korrikut, PD-ja tani në maxhorancë, e riktheu ligjin, megjithatë ndeshi në qëndrimin e opozitës, sipas të cilës, ky ligj përndjek deputetët e pakicës. Drafti më pas shkoi në Komisionin e Venecias, i cili u shpreh dakord me kushtin e vetëm që ai të votohet nga 3/5 e deputetëve.
Ligji për faljen
Propozimi i dytë për të bashkuar votat në Parlament ka të bëjë me ndryshimin e Kodit Penal. Sistemi shqiptar i drejtësisë parashikon dënimin maksimal, me burgim të përjetshëm, dhe dënimi më i butë pas tij është ai me 25 vjet burg. Në variantin e ligjit për faljen, që po diskutohet në komisionin e ligjeve, është parashikuar që personat që janë dënuar me burgim të përjetshëm të mos përfitojnë falje. Kryeministri Berisha propozoi dje rishikimin e Kodit për të rritur dënimin nga 25 vjet burg, në 50 ose 61 vjet dhe më pas ata të kenë mundësi të aplikojnë për falje. “Në situatën aktuale të Kodit Penal shqiptar, i cili pas dënimit përjetë ka dënim të dytë maksimal 25 vjet, natyrisht kjo nuk mund të bëhet. Por, në rast se Partia Socialiste, deputetët e Partisë Socialiste, bien dakord që të ndryshojë Kodi Penal dhe afati i dënimit maksimal të jetë jo 25 vjet, por 61, siç e ka Britania e Madhe, 100 Italia, 50 e kanë vende të tjera, atëherë ne mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes, por me kusht që të ndryshojë paraprakisht. Sepse ata që janë dënuar përjetë, janë persona që kanë kryer krime ndër më të rëndat dhe më të rrezikshmet dhe drejtësia shqiptare meriton vlerësimin më të madh për ato dënime që ka dhënë”, tha Kryeministri.

Ligji për faljen

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë dhe ligji “Për faljen” nuk ndalon të dënuarit me burgim të përjetshëm të aplikojnë për faljen e dënimit.

Në ndryshimet në ligjin “Për faljen” të miratuar pak javë më parë nga Qeveria dhe që po diskutohet në komisionet parlamentare, në pikën 6 parashikohet që ata që janë të dënuar me burgim të përjetshëm nuk mund të aplikojnë për falje.

Propozimi i Kryeministrit Berisha parashikon rritjen e dënimit nga 25 vjet në 50 ose 61 vjet me klauzolën që ata mund të aplikojnë për falje.

Kodi i Republikës së Shqipërisë kërkon 84 vota për t’u ndryshuar, pra edhe votat e opozitës.

Ligji për heqjen e imunitetit

PD-ja në opozitë në vitin 2004 propozoi heqjen e imunitetit të zyrtarëve për rastet e korrupsionit, por kërkesa e saj u rrëzua nga Qeveria.

Në vitin 2005 PD-ja, tani në Qeveri, e çoi sërish ligjin në Kuvend, por ai u kundërshtua nga opozita me pretendimin se synon përndjekjen e deputetëve të saj.

Ligji u dërgua në Komisionin e Venecias, i cili u shpreh dakord parimisht, por kërkoi që ai të votohet me 84 vota.

Maxhoranca propozon sot votimin e ligjit me sugjerimet e Venecias ose ndryshimin e Kushtetutës, ku të parashikohet që organi i akuzës të nisë hetimet për zyrtarët e lartë në rast korrupsioni pa qenë i detyruar të marrë më parë leje.

Në të dyja rastet, edhe nëse votohet vetëm ligji, edhe nëse preket Kushtetuta, kërkohet votimi me 84 vota.

Dekreti për faljet
Presidenti Bamir Topi shpalli më 22 prill 2010 dekretin për falje dënimi për 367 të dënuar. Sipas tij, përgjatë këtij procesi janë marrë në konsideratë rrethana të tilla si qenia i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale, gjendja e rënduar shëndetësore dhe mosha e thyer, e cila nuk justifikonte vazhdimin e mëtejshëm të vuajtjes së dënimit si dhe fakti se disa të dënuar, sidomos gra, ishin nëna të fëmijëve të mitur, një pjesë e të cilëve kishin mbetur pa kujdesin prindëror të asnjërit prind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›