E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ofron për koncesion aksin Fushë-Krujë-Rrogozhinë

Për të disatën herë, Kryeministri Sali Berisha i ofroi për koncesion disa biznesmenëve të huaj ndërtimin e autostradës Fushë-Krujë-Rrogozhinë, autostradë e projektuar para viteve ‘90 dhe që u është ofruar me koncesion më herët një numri shumë të madh kompanish të huaja, duke nënshkruar edhe marrëveshje formale.
"Kryeministri Berisha priti në një takim Senator Berninin, së bashku me disa përfaqësues të një kompanie italiane, të interesuar për projekte infrastrukture", njoftoi dje zyra e shtypit e Kryeministrit.
"Përfaqësuesit e kompanisë italiane shprehën interesin e tyre për të marrë pjesë në vepra koncensionare, si në atë të unazës së madhe të Tiranës, rrugën Fushë-Krujë - Rrogozhinë etj.", thotë më tej deklarata.
Aksi Fushë-Krujë-Rrogozhinë iu dha me koncesion një kompanie austriake nga ish-kryeministri Fatos Nano në vitin 2005, ndërsa dy vite më parë, qeveria e Kryeministrit Berisha shpalli një plan të detajuar për dhënien me koncesion te një kompani kroate, me të cilën u diskutuan edhe tarifat që do të vendoseshin për përdorimin e rrugës. Dje Berisha ia ofroi projektin edhe një grupi kompanish italiane, emrat e të cilave nuk bëhen të ditura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›