E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet tuneli i Thirrës, ka shembje dheu

Nevoja për të përfunduar punimet në betonimin mbajtës dhe në shtrimin e infrastrukturës hidraulike e elektrike në të dyja tunelet e Thirrës detyroi dje qeverinë të shpallë mbyllje pa afat të tunelit verior për trafik, katër muaj pasi rruga u përurua nga dy kryeministra si e përfunduar.
"Duke filluar nga ora 19.00 e ditës së diel, datë 11 tetor 2009, tuneli i Thirrës, në segmentin Rrëshen - Kalimash, do të mbyllet", njoftoi Ministria e Transporteve.
"Tuneli do të mbyllet me qëllim që t‘i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi", shtoi ministria.
Tuneli prej 5.5 kilometrash përbëhet nga dy tuba dhe është edhe vepra më e rëndësishme e të gjithë segmentit Rrëshen-Kalimash, i cili pritet të kushtojë rreth 1 miliardë euro në total.
Sipas faqes zyrtare të kompanisë "Enka", e cila është bashkësipërmarrëse për ndërtimin e tunelit, punimet do të vijojnë deri në qershorin e vitit 2010, një shtyrje 12-mujore në krahasim me afatin fillestar kontraktual. Tuneli i Thirrës është përdorur gjatë muajve të fundit si rrugë me sens të alternuar ku makinat udhëhiqeshin nga mjetet e Bechtel-Enka dhe tuneli monitorohej imtësisht për të shmangur aksidentet. Në tunelin verior, një pjesë prej disa qindra metrash ishte ende pa beton mbajtës dhe gjatë ditëve të fundit, në vende të ndryshme qe vënë re çarje dhe rrëshqitje dheu. Konsorciumi sipërmarrës vijoi punimet në tunel duke përfituar nga mbyllja e qarkullimit gjatë natës, por detyrimi për të ruajtur kushte sigurie për kalimtarët, i vonoi edhe më shumë punimet. Mbyllja e tunelit qe përfolur prej kohësh. Për udhëtarët drejt Kukësit dhe Kosovës, gjatë javëve të ardhshme do të mbetet si alternativë rruga e vjetër.
"Duke qenë se punimet do të kryhen në të dy tubat, kalimi në segmentin Rreps - Kalimash do të jetë i pamundur, për një periudhë disajavore. Rrjedhimisht, kalimi do të bëhet pjesërisht përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morinë - Kukës - Shpal - Rreps - Rrëshen - Milot dhe anasjelltas", deklaroi ministria.

Gj. E

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›