Sigurim i detyrueshëm, për pasuritë e paluajtshme
Aksidenti i ndodhur në një hotel të Golemit, ku mbetën të plagosur disa turistë nga Kosova, solli edhe një herë në qendër të vëmendjes rëndësinë që ka sigurimi i pasurisë së paluajtshme. Duke marrë shkas nga ngjarja, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, deklaroi dje se, në Bashkimin Europian ku Shqipëria synon anëtarësimin, të gjitha njësitë tregtare apo shërbimet publike janë detyrimisht të siguruara për përgjegjësinë civile ndaj palëve të treta. Shoqata apelon te strukturat teknike dhe vendimmarrëse që të përafrojnë legjislacionin e kësaj fushe me atë të BE-së, të garantojnë sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta duke garantuar konsumatorin shqiptar se "dëmi i shkaktuar nga një ngjarje e tillë e papritur dhe e paparashikueshme do të jetë plotësisht i rimbursuar nga kompanitë e sigurimeve". Ministria e Rinisë, Kulturës, Turizmit dhe Sporteve ka nxjerrë një akt nënligjor që i detyron njësitë hoteliere të blejnë kontratën e sigurimit të përgjegjësive ndaj palëve të treta. Por zbatueshmëria e tij lë shumë për të dëshiruar. Aktualisht, ekspertë të fushës janë duke punuar për të gjetur format e duhura ligjore në mënyrë që t‘i jepet zgjidhje një herë e mirë problemit.