Leku e mbyll javën me humbje
Leku shqiptar mbylli një javë zhvlerësimi gradual dhe të vazhdueshëm gjatë euros. Dje, euro kushtoi mesatarisht 136.48 lekë sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë, e cila i referohet kursit mesatar të paradites, ndërsa në tregun ndërbankar euro u shtrenjtua deri në 136.7 gjatë pasdrekes, por u tërhoq dhe e mbylli ditën rreth kuotës 136.3. Gjatë javës që u mbyll, leku humbi 1.5 për qind të vlerës dhe dje shënoi ditën e gjashtë radhazi me humbje. Kërkesa e lartë sezonale për valutë që shërben për të plotësuar nevojat e vendit me importe konsiderohet si faktori kryesor i rënies së lekut gjatë muajit të fundit. Leku shënoi pikën e vet më të ulët në gjashtë vjet më 24 nëntor, kur euro u kuotua në 137.83 lekë, si pasojë e një paniku që detyroi Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave të flisnin publikisht. Situata u qetësua në ditët në vijim, por për disa ekspertë bankash, ngjarja e javës së fundit të shtatorit konfirmoi tendencën negative afatgjatë të monedhës shqiptare. Leku qëndroi stabël rreth kuotës 134.5 për javën e parë të tetorit dhe iu rikthye tendencës së zhvlerësimit në javën e fundit.