E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, opozitës: Mos cenoni procesin e letërnjoftimeve



Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje dje opozitës që të mos cenojë procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve të reja. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha tha se procesi po ecën me shpejtësi, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e opozitës. Ai garantoi opozitën se procesi do të jetë tërësisht i lirë dhe i ndershëm. “Ky proces po ecën me ritme të cilat kanë arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë. Deri tani, janë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara për Tiranën, të shpërndara në qendrat e minibashkive”, - tha Berisha. Kryeministri i cilësoi akuzat dhe pretendimet e opozitës si zhurmë, të cilat kërkojnë të prishin procesin. “Me gjithë zhurmën e pabazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët evropianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarë kanë aplikuar për karta”, - tha Berisha, duke shtuar se nga kontigjenti prej 700 mijë qytetarësh që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë.

Duke folur më tej për letërnjoftimin e ri, Berisha tha se nuk do të shërbejnë thjesht për votime, por si identifikim modern për qytetarët shqiptarë. Ai tha letërnjoftimet nuk do të cenohen apo të shndërrohen në karta votimi si në procesin e dështuar të vitit ‘97. “Përpjekjet për t’i shndërruar këto në karta votimi, ashtu siç ndodhi në vitin 1997, që u shpërndanë falas dhe shumica e tyre përfunduan në lumin Lanë, janë përpjekje për të bllokuar procesin, janë përpjekje dhe kërkesa se si të zhvlerësosh totalisht procesin dhe t’i shndërrosh këto karta në ato lloj kartash votimi”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe kërkesës për karta falas të opozitës. Ai tha se qeveria ka ulur në maksimum çmimin për shtetasit. “Ata të cilët u ranë borive se procesi po dështon dhe nuk po ecën, ata e marrin përgjigjen me statistika. Masat që mori qeveria për uljen nën kosto të çmimit të kartave, për buxhetorët me 20 për qind, për pensionistët me 35 për qind, për studentët dhe ndihmën ekonomike me 46 për qind, kanë pasur efektin e vet shumë pozitiv”, - deklaroi Berisha. Ai ftoi qytetarët të paraqiten për të bërë aplikimin si dhe të tërheqin kartat e prodhuara.

Në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Berisha tha se në takimet me misionin e ODIHR-it si dhe me zëvendësministrin e Jashtëm çek, u diskutua mbi procesin zgjedhor. Berisha siguroi të huajt se procesi zgjedhor do të jetë tërësisht i lirë dhe i ndershëm. Qeveria ka kërkuar edhe një numër sa më të madh vëzhguesish. “Unë shfrytëzova rastin që t’i kërkoj atij, si përfaqësues i vendit që ka kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, që t’u kërkojë ministrive të jashtme të vendeve anëtare, të angazhojnë një numër sa më të madh vëzhguesish për këto zgjedhje. Këtu, me zgjedhjet e mbyllim diskutimin dhe mbetet vetëm që ju të votoni për kë të dëshironi”, - deklaroi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›