Poni, apel qytetarëve: Aplikoni shpejt për kartat
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, priti dje Misionin e OSBE-ODIHR-it të cilin e informoi për infrastrukturën parazgjedhore. Poni evidentoi se për herë të parë, falë këtij regjistri elektronik, lista paraprake e zgjedhësve është paraqitur katër muaj para ditës së zgjedhjeve online, në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zëvendësministri u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë aplikimet sa më shpejt që të jetë e mundur. “Deri më 28 maj 2009, kur do të gjenerohet lista përfundimtare e zgjedhësve, ka kohë të mjaftueshme që zgjedhësit të gjejnë emrin në lista dhe adresën e qendrës së votimit dhe nëse është e nevojshme, të kryhen të gjitha korrigjimet përkatëse”, -u shpreh Poni. Ai u shpreh se procesi i përgatitjes së regjistrit elektronik është asistuar nga OSBE-ja dhe Statistic Norway dhe veçanërisht Ministria e Brendshme e Austrisë. “Ditën e djeshme kanë aplikuar afro 13 mijë persona dhe besoj se brenda marsit do të shkojë në 15 mijë persona. Po kështu, Qendra e Personalizimit të të Dhënave po prodhon afro 16 mijë karta në ditë”, - tha Poni.