E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha niset në Gjermani me ftesë të Merkelit



Kryeministri Sali Berisha u nis dje për një vizitë zyrtare në Gjermani, ku do të marrë pjesë në disa konferenca. Ai është ftuar të marrë pjesë në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP) në Bruksel që aktualisht drejtohet nga Partia Kristian-Demoktrate e Kancelares gjermane Anxhela Merkel. Më pas, Kryeministri Berisha është ftuar në një takim të zgjeruar me përfaqësues të firmave më të mëdha gjermane, në Esen, në Gjermani, ku do të pritet nga z. Bodo Hombah, anëtar i Kryesisë së Komisionit të Lindjes të Ekonomisë Gjermane dhe kryetar i grupit mediatik WAZ. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha do të prezantojë reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në fushën ekonomike, falë të cilave është krijuar një klimë tepër e favorshme për biznesin vendas dhe të huaj në Shqipëri, si dhe do të flasë për ‘Potencialet e investimit në Shqipëri për ndërmarrjet gjermane’. Kreu i qeverisë shqiptare ka marrë edhe një ftesë nga fondacioni “Konrad Adenauer”, për të marrë pjesë në konferencën me temë “Vitet 1989/1990: era e ndryshimit në Shqipëri”. Kryeministri Berisha do të mbajë një kumtesë përpara një audience të gjerë politikanësh, intelektualësh, akademikësh dhe personaliteteve nga fusha e biznesit gjerman e më gjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›