E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida e Mijëvjeçarit, procedura transparente për lejet e ndërtimit



USAID-i prezantoi dje faqen e dytë të projektit Sfida e Mijëvjeçarit, nga i cili Shqipëria do të përfitojë rreth 15 milionë dollarë në shumë fusha. Marrëveshja dypalëshe me USAID-in e angazhon Shqipërinë në reforma të përcaktuara që synojnë të reduktojnë korrupsionin dhe të forcojnë shtetin e së drejtës. Në këto reforma Shqipëria do të asistohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një detaj i projektit është që me këto fonde do të krijohet një Regjistër Kombëtar Planifikimi për t’i bërë procedurat e nxjerrjes së lejeve të ndërtimit më transparente. Sipas këtij projekti, ky regjistër do të bëjë punën më transparente për bashkitë dhe komunat. Gjatë dy viteve në vijim, Sfida e Mijëvjeçarit do të përmirësojë procedurat e licencimit duke i përqendruar ato në një qendër kombëtare licencimi, do të krijojë gjykata të veçanta administrative si dhe të zgjerojë dhe konsolidojë reformat në fushën e administrimit të tatimeve, si ato që kanë lidhje me aplikimin elektronik dhe auditimin, që kanë filluar gjatë fazës së parë të programit të Sfidës së Mijëvjeçarit.

Një tjetër detaj është se programi i Ndihmës dhe i Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë (OPDAT) i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, një partner në Programin e Sfidës së Mijëvjeçarit, do të punojë me Prokurorinë e Përgjithshme për të krijuar edhe gjashtë njësi të tjera të përbashkëta investigative nëpër rrethe.

Roberta Mahoni, drejtorja e USAID-it, u shpreh se ky projekt do të ndihmojë për përmirësimin e procedurave në këto shërbime, si dhe në një funksionim më të mirë të organit të akuzës. “Kjo do të ndihmojë edhe prokurorinë, e cila në disa raste ndodhet në pozicione këshilluese ndaj qeverisë, si dhe do të ndihmojë organizatat e shoqërisë civile, për ta bërë qeverinë më të përgjegjshme”, - u shpreh Mahoni.

Gjatë prezantimit të këtij projekti merrnin pjesë zëvendëskryeministri Genc Pollo, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj si dhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe prokuroria.

Miratohet ligji administrues për pallatet

Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit, i cili vendos detyrime të reja për banorët e pallateve dhe komuniteteve. Drejtorja e Politikave dhe Strehimit në Ministrinë e Transporteve, Doris Andoni, tha se tashmë ky ligj përcakton një menaxhim më të mirë të pronës. “Nëse një objekti i është dhënë leja për ndërtim me një koeficient të caktuar shfrytëzimi, atëherë studimi duhet të përcaktojë dhe se çfarë ndodh me territorin përreth; nëse ai do të jetë pjesë e pronës publike apo i mbetet territor shfrytëzimi bashkëpronësisë. Në rast se është kjo e fundit, atëherë rregullohet sipas një ligji, nëse mbetet pronë publike, atëherë është bashkia që ka kompetencat e plota për ta administruar territorin”, - tha Andoni. Projektligji i ri vendos që krahas regjistrimit të pronës, do të ketë një akt nënshkrimi për bashkëpronësinë dhe ngre një asamble bashkëpronarësh për menaxhimin e pronave. Banorët do të duhet të paguajnë taksë mirëmbajtjeje. Një tjetër detaj ka të bëjë me mënyrën e zhvillimit të zonave. Në rast se një grup pronarësh vendosin të prishin shtëpitë e tyre për ngritjen e ndonjë kompleksi ndërtimi, kjo duhet bërë në bashkëpunim me pushtetin lokal. Projektligji përcakton se pushteti lokal mund të ndërhyjë, në mënyrë që nga ndërtimi të përfitohen banesa për të pastrehët. Organet e qeverisjes vendore mund të mbështesin bashkëpronarët me të ardhura të ulëta me financime ose duke vënë në dispozicion personelin teknik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›