E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Majlinda Bregu takon zv.ministrin e parë të Jashtëm çek, z. Tomas Pojar



Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, takoi dje zëvendësministrin e Jashtëm çek, Tomas Pojar, me të cilin diskutoi për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe aplikimit për statusin kandidat. Zv.ministri çek theksoi faktin se Çekia, që mban tashmë presidencën e radhës së BE-së, jo vetëm e mirëpret aplikimin e shpejtë të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, por ofron gjithë mbështetjen e saj për implementimin e detyrimeve që rrjedhin në këtë etapë të re të procesit. Sipas tij, aplikimi i Shqipërisë nuk varet dhe nuk ka lidhje me aplikimet e vendeve të tjera të rajonit, por vetëm me krijimin e kushteve të favorshme për shqyrtimin e kërkesës për aplikim në një kohë sa më të shpejtë nga Këshilli. Ministrja Bregu falënderoi Pojarin për mbështetjen e presidencës çeke në procesin integrues të Shqipërisë në përgjithësi, për rolin e tyre mbështetës në takimet e Këshillit dhe veçanërisht, inkurajimin që vendi ynë të aplikojë gjatë presidencës çeke.

Aplikimi në BE, Doris Pak në Tiranë

Europarlamentarja Doris Pak pritet të mbërrijë sot në Tiranë ku do të takohet me autoritetet më të larta të vendit për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE. Sot është paralajmëruar takimi në mesditë me Presidentin Topi, në Pallatin e Brigadave, ndërkohë që priten takime të tjera. Eurodeputetja pritet të diskutojë me autoritetet shqiptare mundësitë si dhe kohën kur duhet bërë aplikimi.

Zyrtarizohet Poli i Lirisë, Ngjela, jashtë

Poli i Lirisë vendosi dje të hedhë hapin zyrtar, atë të krijimit të koalicionit parazgjedhor. Me nota optimiste, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, shkëmbyen shtrëngime duarsh por në ceremoni mungonte Spartak Ngjela dhe partia e tij. Ngjela nuk ka preferuar të shkojë tek Poli i Lirisë, ndonëse reklamoi mjaft krijimin e tij dhe arsyeja e mospjesëmarrjes së tij është “konsolidimi i partisë”. Aktualisht, me tri parti në përbërje, Poli i Lirisë synon zgjerimin me parti të tjera deri në momentin e regjistrimit pranë KQZ-së. Fushatë qytetare, liri për qytetarët, arritja e standardeve evropiane për vendin janë disa nga angazhimet e këtij koalicioni politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›