Kartat, Miçëll: No koment për shqetësimet e opozitës
Shef i zyrës së zgjedhjeve të ODIHR-it, Gerald Miçëll, në një bisedë për “standard”, nuk preferoi të komentonte asnjë nga shqetësimet e ardhura nga opozita për procesin parazgjedhor. i ndodhur me një mision të gjerë takimesh në Shqipëri, Miçëll është njohur me të gjithë infrastrukturën parazgjedhore si dhe me pretendimet e opozitës se procesi nuk po ecën mbarë. Gjatë takimit me kreun socialist, Rama, shefi i zyrës së zgjedhjeve të ODIHR-it mori nota negative për procesin.
Duke folur për “standard”, Gerald Miçëll nuk pranoi të jepte asnjë koment në lidhje me shqetësimin që kryetari i PS-së, Rama, i përcolli atij. “Nuk kam ndonjë koment në lidhje me këtë”, - tha Miçëll. Megjithatë ai preferoi të fliste për takimet e tij në Tiranën zyrtare. “Ky është një mision i zakonshëm për t’u informuar nga ana e zyrës sonë të ODIHR-it për të diskutuar në lidhje me misionin tonë të vëzhguesve në zgjedhjet në Shqipëri”, - thotë zyrtari i ODIHR-it, Miçëll.
Për sa u përket diskutimeve me zyrtarët shqiptarë, ai tregohet i rezervuar, gjithsesi garanton se misioni i ODIHR-it do të rishikojë mundësinë për rritjen e numrit të vëzhguesve gjatë procesit zgjedhor. “Ky është një mision standard për t’u njohur me zhvillimin e infrastrukturës. Misioni ka diskutuar shtimin e numrit të vëzhguesve dhe na ftuan që të rrisim numrin e tyre. Ne shpresojmë se do të kemi një bashkëpunim shumë të mirë”, - tha Miçëll për “standard”. Ai bëri me dije se me zyrtarët më të lartë shqiptarë janë diskutuar të gjitha detajet mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Miçëll premtoi se zyra e ODIHR-it do të marrë një vendim sa më shpejt që të jetë e mundur në lidhje me shtimin e numrit të zgjedhësve. “Në Shqipëri kemi ardhur të takojmë autoritetet shqiptare, ku kemi një seri takimesh, nga ku kemi marrë edhe një pasqyrë të informacionit në lidhje me infrastrukturën parazgjedhore. Kemi diskutuar me autoritetet për mënyrën se si zyra jonë do të kryejë misionin e saj të vëzhgimit me vëzhgues direkt. Zyra jonë e ODIHR-it do të arrijë së shpejti në një vendim për misionin e vëzhgimit”, - tha Miçëll. Komentet e tij u bënë për gazetën pas përfundimit të takimit prej dy orësh me zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni. Numri dy i Ministrisë së Brendshme informoi për procesin Misionin e ODIHR-it. Gjatë ditës së djeshme, Misioni i ODIHR-it ka vazhduar më tej takimet në nivel politik dhe ekspert për procesin parazgjedhor në Shqipëri. Ata janë takuar me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Ilir Rusmali dhe Kastriot Islami, si dhe me kreun e LSI-së, Ilir Meta.