E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për shkollat e Tiranës: Nuk po behet asnje investim

Kryeministri Sali Berisha vleresoi sot nga Korca punen e rretheve ne drejtim te ndertimit dhe rregullimit te shkollave dhe i faturon Bashkise se Tiranes kritika per "lenien pas dore" te objekteve arsimore ne kryeqytet. 

TIRANE-Kryeministri Berisha përgëzoi sot rrethet për punën që kanë bërë në drejtim të rikonstruksionit të shkollave dhe kërkoi që edhe Tirana të gjejë mënyrat për të realizuar këtë objektiv që aktualisht administrohet nga Bashkia e kryeqytetit.
Deklaratat e kryeministrit u bënë sot gjatë një vizite të tij në qytetin e Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të disa investimeve në infrastrukturën arsimore të qytetit, me vlerë rreth 1.95 milion dollarë.

“Kam kënaqësi kur më informojnë autoritetet vendore se ky objektiv është drejt realizimit, ndërkohë në Tiranë ekzistojnë probleme, jo për shkak të fondeve, sepse ne i kemi dhënë Tiranës fonde për arsimin më shumë se çdo rrethi tjetër... Kudo po realizohet ndërtimi i shkollave, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në Tiranë, sepse trojet e shkollave nuk kanë përqindje dhe kjo është arsyeja. Megjithatë, ne do të bëjmë përpjekje që edhe Tirana të gjejë mënyrat për ta realizuar këtë objektiv”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij Tirana, si kryeqyteti i vendit, duhet të ishte në krye të përpjekjeve në këtë drejtim. “Sërish, ne nuk do të pranojmë që nxënësit e Tiranës të mësojnë në shkolla pa kushte, ku mungon ngrohja, ndërkohë që në çdo rreth ku kam vizituar shkolla, ato kanë qenë me sistem ngrohjeje dhe standarde të tjera të nevojshme,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha inauguroi në Korcë përfundimin e punimeve të shkollës së “Re”, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 1 milion dollarë; inaugurimin e rikonstruksionit dhe të zgjerimit me ambiente të reja të shkollës “Sevasti Qiriazi”, me vlerë 65 milion lekë dhe rikonstruksionit të konviktit të shkollës profesionale “Demir Progri”, investim me vlerë 30 milion lekë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›