Berisha përcjell kontingjentin e dytë të trupave paqeruajtëse
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit të 11-të paqeruajtës të regjimentit Komando në Irak dhe të kontingjentit të 12-të të Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Afganistan. Duke i uruar paqeruajtësit për misionin dhe siguruar se qeveria do t’i mbështesë fuqimisht në përmbushjen me sukses të tij, kryeministri Berisha u shpreh se ata nisen në një mision në ruajtje të paqes dhe mbrojtje të vlerave të lirisë në dy vende mike. “Dëshiroj të shpreh gëzimin e krenarinë time, të qeverisë dhe të shqiptarëve në tërësi për ju, familjet tuaja dhe misionin e madh për të cilin ju largoheni sot nga Shqipëria. Ky mision, që mbush me krenari çdo shqiptar, është mision në ruajtje të paqes dhe në mbrojtje të vlerave të mëdha të lirisë, në dy vende dhe kombe mike, të cilat u ndanë nga regjime teokratike dhe terroriste dhe duan të ndërtojnë lirinë, demokracinë dhe vlerat e saj në Afganistan dhe Irak”, - tha Berisha. Në ceremoninë ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare (FASH), gjeneral-lejtënant Luan Hoxha, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, ushtarakë të lartë, familjarë të ushtarakëve në mision.
11 Mars 2008