E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “KESH-i në prag falimentimi, i ‘kredhur” në borxhe”

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, edhe pse siguron fitime nga shitja e produktit dhe shërbimeve të saj konsumatorëve shqiptarë të energjisë, përsëri rezulton të jetë e zhytur në borxhe gjigante. Lajmin e ka bërë të ditur dje ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i cili ka raportuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku është pyetur nga deputetët në lidhje me gjendjen aktuale të Korporatës Elektroenergjetike. “KESH-i rezulton të jetë një kompani me më shumë borxhe sesa fitime, çka vë në pikëpyetje marrëdhëniet si dhe financimet për të nga ana e donatorëve të huaj, duke bërë që të rrezikojë një falimentim të mundshëm”, - ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Sipas tij, gjendja aktuale në Korporatë mund të quhet e stabilizuar vetëm për momentin. “Borxhet afatgjata të KESH-it mund të konsiderohen shumë, por ato janë të shtrira në kohë. KESH-i duhet t’i paguajë deri në vitin 2044 dhe kjo nuk përbën ndonjë problem. Por KESH-i ka edhe borxhe të reja, që i merr në afate 3-mujore nga bankat për të blerë energji dhe i shlyen menjëherë, pra për çdo tre muaj dhe kjo është e vështirë të llogaritet, pasi merr borxh dhe e shlyhen përsëri, e kështu më radhë. Por mund të them që borxhi afatshkurtër kap një shifër prej 30 milionë eurosh”, - tha Ruli në Komisionin e Ligjeve.

Borxhi

Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, ka deklaruar se “borxhet që konsumatorët i kanë në total Korporatës llogariten në rreth 370 milionë euro, në një kohë që vet KESH-i ka rreth 241 milionë euro kredi afatgjata të pashlyera akoma”. Më tej Ruli ka sqaruar se nga ky borxh “rreth 140 milionë euro i përkasin vetëm Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, të cilat do t’i mbarten investitorit strategjik pas privatizimit të kësaj pjese”. Privatizimi i Sistemit të Shpërndarjes në KESH cilësohet nga ekspertët e Ekonomisë si më i rëndësishmi, por njëkohësisht edhe më i vështiri në historinë e privatizimeve në vend.

Situata energjetike

Ministri Ruli komentoi edhe situatën e fundit energjetike në vend, të cilën e cilësoi si optimale, por gjithnjë në varësi të reshjeve. Ai u përgjigj edhe në lidhje me çmimin e ri të energjisë. “Aktualisht mund të them që me çmimin e ri të energjisë kemi arritur në koston marzhinale”, - u shpreh Ruli. Ministri i Ekonomisë ndodhej në këtë komision për të raportuar dhe diskutuar në lidhje me privatizimin e INSIG-ut dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në KESH. Të dyja këto projektligje lidhen me objektiva të tillë sikurse janë politikat e tarifave të energjisë elektrike me futjen e një operatori privat në shpërndarje, si dhe me zgjidhjen e problemit të huave që ka KESH-i.

Viti 2007, viti i rekordeve për KESH-in

Sipas raportit më të fundit të publikuar nga INSTAT-i, gjatë këtij viti prodhimi i energjisë është ulur ndjeshëm, ndërsa importi ka qenë në kuota maksimale. Krahasuar me 2006-n humbjet e energjisë në rrjet kanë pësuar ulje, kjo si rezultat i aksioneve të kryera nga KESH-i, për ndërprerjen e energjisë elektrike konsumatorëve debitorë. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2007 prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul ndjeshëm, me 46.9 për qind, krahasuar me vitin 2006. Rënia e konsiderueshme në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 47.7 për qind, ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e prodhimit total të energjisë. Energjia elektrike e prodhuar nga TEC-et u ul me 21.9 për qind krahasuar me vitin 2006. Importi i energjisë elektrike pati një rritje të thellë prej 136.2 përqindësh krahasuar me vitin 2006. Humbjet në rrjet u ulën me 16.0 për qind në krahasim me vitin 2006. Gjatë këtij viti familjarët kanë konsumuar më pak energji se një vit më parë. Sipas INSTAT-it, energjia e konsumuar nga familjarët ra në 2.2 për qind, ku ky sektor përdori vetëm 57.1 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final. Sasia e energjisë elektrike të konsumuar nga përdoruesit e tjerë u rrit me 7.9 për qind krahasuar me vitin 2006.

Bilanci

5,881 GWh energjia e prodhuar dhe importuar

2,947 GWh prodhimi i energjisë

2,934 GWh importi i energjisë

2,085 GWh humbjet e energjisë në rrjet

17.1 për qind janë ulur humbjet në shpërndarje

16 për qind janë ulur humbjet në rrjet

KLSH-ja zbulon miliarda lekë abuzime nga punonjësit e KESH-it

Buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik prej afro 6 miliardë lekësh, si pasojë e abuzimeve të kryera nga punonjës të ndryshëm të institucioneve shtetërore. Ky dëm i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare të ushtruar në periudhën 2004-2006 dhe 9-mujorit të vitit 2007. Sipas raportit të KLSH-së, 4 punonjës të KESH-it kanë shkaktuar edhe dëmin më të madh në buxhetin e shtetit. Katër punonjësi e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare kanë shkaktuar edhe vlerën më të madhe të dëmit ku duke abuzuar me detyrën e tyre i kanë sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej mbi 5 miliardë lekësh, shumë kjo goxha e konsiderueshme. Sipas raportit të KLSH-së, punonjësit e KESH-it kanë marrë 8 milionë lekë dieta në mënyrë të padrejtë, kanë marrë 17.8 milionë lekë për sponsorizime etj. Përveç kësaj, në Zonën e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Tiranë (njësia e shitjes), dëmi arrin në 25.9 milionë lekë dhe është shkaktuar si pasojë e mospagimit të kamatëvonesave në vlerën 18.3 milionë lekë dhe tarifës së lidhjeve të reja në vlerën 7.5 milionë lekë. Por nuk kanë mbetur prapa as punonjësit e ministrive përsa i përket abuzimeve të fondeve shtetërore. Plot 84 punonjës të administratës shtetërore janë dërguar për kallëzim penal në organet e Prokurorisë. Për vitin 2007 edhe në degën e Tatim-Taksave është konstatuar një dëm prej 3,6 miliardë lekësh.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›