Privatizimet, rikthehen në lojë letrat
Proceset e privatizimit do të kthejnë letrat me vlerë në aksione. Vlera e letrave me vlerë dhe e bonove të privatizimit do të jetë 20 për qind
Erald Kapri
Letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit do të dalin nga sirtarët dhe do të vlejnë para për të gjithë ata që i kanë ruajtur. Procesi i privatizimit tashmë ka nisur për një pjesë të madhe kompanish shtetërore, të cilat vlejnë me miliona euro, por procedura e privatizimit do të jetë ndryshe nga më parë. Ministria e Ekonomisë ka nisur në Kuvend një sërë formulash për privatizimin e disa ndërmarrjeve të rëndësishme si Korporata Elektroenergjetike, kompanitë e naftës si ARMO dhe ALBPETROL, INSIG etj., të cilat do të dalin në ankand për të shitur deri në 76 për qind të aksioneve të këtyre kompanive. Pjesa e mbetur e aksioneve shtetërore, prej 24 përqindësh, do të trajtohet ndryshe.
Formula
Formulat e privatizimeve do të njohin letrat me vlerë për ish-të përndjekurit politikë, bonot e privatizimit si dhe konvertimin në aksione të vlerës së truallit për ish-pronarët. Gjatë prezantimit të djeshëm të formulës së privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në KESH, ministri i Ekonomisë konfirmoi se pjesa e aksioneve shtetërore do të ndahet mes ish-pronarëve dhe personave që kanë letra me vlerë apo bono privatizimi në këto ndërmarrje. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ndodhej në Komisionin e Ligjeve për të diskutuar në lidhje me formulën e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore konkretisht për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në KESH. Paketa e aksioneve të kapitalit të mbetur të OST u afrohen ish-subjekteve të shpronësuara të truallit dhe të ndërtesave, mbi të cilat janë ndërtuar objektet e OSSH-së, të punonjësve të OSSH-së, të cilët kanë qenë të punësuar që nga viti 1992 dhe duhet të kenë jo më pak se 5 vjet punë etj.
Përfituesit
Ministri i Ekonomisë u shpreh se procedura e privatizimit do të bëhet në kuadër të ligjit të vitit 1998, i cili njeh bonot e privatizimit dhe letrat me vlerë. Sipas përllogaritjeve janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Nga socialistët më pas, u bënë premtime, por asgjë konkrete. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua. Sipas ligjit të vitit 2008, në kuadrin ligjor për realizimin e procesit të privatizimit për sektorë strategjikë dhe jostrategjikë, është parashikuar pjesëmarrja e letrave me vlerë dhe bonove të privatizimit. Po sipas këtij ligji, lidhur me mënyrën dhe masën e përdorimit të letrave me vlerë apo bonove, afati i bonove dhe lekëve të privatizimit duhej të ishte deri më 31.12.2005. Programi është përcaktuar me vendim të qeverisë, i cila nuk e ka anashkaluar problemin e bonove të privatizimit. Ministria e Ekonomisë, si përfaqësuese e së drejtës së pronësisë shtetërore, në mbështetje të legjislacionit në fuqi, ndër të tjera është e ngarkuar të realizojë transformimin e ndërmarrjeve shtetërorë në shoqëri tregtare shtetërore dhe privatizimin e tyre. Në gjithë kuadrin ligjor për realizimin e procesit të privatizimit është parashikuar edhe pjesëmarrja e letrave me vlerë dhe bonove të privatizimit. Por deri tani një gjë e tillë nuk është vënë asnjëherë në zbatim, dhe për këtë arsye, qytetarët shqiptarë, me gjithë letrat me vlerë dhe bonot e privatizimeve që disponojnë, nuk janë kthyer ende në pronarë apo aksionarë të këtyre objekteve që privatizohen. Sipas interpretimeve të ministrit të Ekonomisë, Ruli, edhe sot kjo interpretohet si ligjërisht dhe tërësisht e mundshme.
Vlera e një aksioni ndërmarrjeje, 1 mijë lekë
Bonot e privatizimi do të kthehen në aksione, por duhet të dihet se sa aksione do të përfitohen. Shuma në lekë që do të përfitohet nga sasia vlerës prej 20 përqindësh do të pjesëtohet me 1 mijë lekë të rinj. Vlera prej 1 mijë lekësh vlerësohet në vlerë minimale një aksion pronësie të një ndërmarrjeje. Për shembull, kompania “ARMO” ka një sasi aksionesh prej 4 790 437, që janë afërsisht 76 për qind të vlerës së përgjithshme. Sipas përllogaritjeve, një aksion nga kompania nuk mendohet se do të vlejë më shumë se 1 mijë lekë. Në rast se keni 10 milionë lekë bono do të vlejnë jo më shumë se 2 milionë lekë dhe të kthyera në aksione do të konvertohen në 2 mijë të tilla. Shitja e aksioneve do të japë sasinë e parave prej 2 milionë lekësh, ose në rast të kundër mund të preferoni të jeni aksionar i kompanisë.
Bonot e privatizimit, jo më shumë se 20 % e vlerës
Ndonëse do të futen në proces letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit të punonjësve, ato nuk do të njihen me vlerë të plotë. Po t’i referohemi ligjit, rezulton se në nenin 12, Ligji 8306 dt.14.03.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, caktohet se pjesëmarrja e letrave me vlerë për privatizim, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçante, përcaktohen në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk do të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të llogaritur. Mënyra e përfaqësimit të mbajtësve të aksioneve e të drejtat që rrjedhin prej tyre caktohen nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa në Ligjin 8334 dt. 23.04.1998 "Për privatizimin e shoqërive tregtare që veprojnë në sektorët jostrategjikë", neni 2, parashikohet se formula e privatizimit në këtë rast, caktohet nga Ministria e Ekonomisë pas caktimit të pjesës së aksioneve për ish-pronarët e truallit e punonjësit e shoqërisë. Paketa e aksioneve në këtë ligj caktohet si pjesa e aksioneve që i ofrohet publikut e punonjësve të shoqërisë, në këmbim të bonove e lekëve të privatizimit.
64 miliardë lekë bono privatizimi dhe 12.5 miliardë lekë letra me vlerë
Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë kanë arritur të bëjnë llogari të përafërta mbi vlerën e bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë që kanë përfituar ish-të përndjekurit. Sipas të dhënave, mendohet se vlera e papërdorur e bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë përllogaritet deri në 64 miliardë lekë bono privatizimi dhe 12.5 miliardë lekë letra me vlerë privatizimi, që kanë përfituar ish-të përndjekurit politikë. Kuptohet që kjo është vlera e përgjithshme dhe duke e zbritur me 20 përqindëshin që do të vlerësohen, sasia e bonove do të vlerësohet 5 herë më pak. Paketa e aksioneve të kapitalit të mbetur të OST u afrohen ish- subjekteve të shpronësuara të truallit dhe të ndërtesave mbi të cilat janë ndërtuar objektet e OSSH-së, të punonjësve të OSSH-së, të cilët kanë qenë të punësuar që nga viti 1992 dhe duhet të kenë jo më pak se 5 vjet punë etj.
ǒjanë aksionet dhe si mund të shiten për të marrë paratë
Nëse jeni pronar i disa aksioneve dhe dëshironi t`i shisni, atëherë duhet të plotësoni disa rregulla, të cilat nuk varen nga ju. Kompania në të cilën ju jeni aksionar patjetër duhet të jetë në listën e shitjeve, që do të thotë se edhe më parë është kryer shitja e atyre aksioneve nga ajo kompani. Nëse e plotësoni këtë rregull, atëherë duhet ta prisni datën e ankandit dhe t`i jepni të drejtë shitësit tuaj për shitjen e këtyre aksioneve. Këto data të ankandeve për të gjitha kompanitë i jep organi përgjegjës i shitjeve. Aksionet janë letra me vlerë pronësie, të cilat përfaqësojnë pjesë të pandashme të tërësisë së shoqërisë aksionare dhe gjegjësisht pronarit të saj i mundësojnë një pjesëmarrje proporcionale në fitim dhe udhëheqje me shoqërinë. Obligimet e pronarit të aksioneve ndaj personave të tretë janë të kufizuara vetëm në vlerën e deponimit të aksioneve. Aksionet mund të jenë të thjeshta dhe prioritare. Aksionet e thjeshta kanë të drejtë në votë gjatë sjelljes së vendimeve për punën e mëtejshme, ndërsa aksionet prioritare nuk kanë të drejtë në votë, por marrin divident ose fitim.
11 Mars 2008