Partitë e vogla: Referendum kundër propozimeve
Miratimi i nismës së PS-së në Konferencën e Kryetarëve dhe kalimi i kësaj nisme në punimet e Kuvendit është cilësuar nga ana e partive të vogla parlamentare si shmangie dhe bojkot i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Të vegjlit kanë reaguar ndaj kësaj nisme të selisë rozë, duke kundërshtuar propozimin e saj për sistemin proporcional rajonal. Madje ato kanë deklaruar se do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa nuk kanë ngurruar të “kërcënojnë” edhe me referendum për çështjen e sistemit zgjedhor. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikanë tha se nisma e PS-së është shprehje e qartë e bojkotit të saj ndaj Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. "PS-ja vazhdimisht ka demonstruar që e shpërfill Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe nuk është e gatshme të kontribuojë së bashku me gjithë faktorët politikë për reformën zgjedhore”, - tha Madhi. Ndërkohë, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, deklaroi se "partitë e vogla do të vazhdojnë të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat ligjore që i jep Kushtetuta, në mënyrë që në rrugë institucionale të arrijnë të bindin dy partitë e mëdha që qëndrimi i tyre politik është i dëmshëm për demokracinë shqiptare".
Partitë e vogla kishin në plan të diskutonin propozimet e tyre në Komision për tre variante sistemesh. Në variantin e parë, atë proporcional të personalizuar, të vegjlit propozonin përbërjen e Kuvendit me 140 deputetë, me raportin 70 me 70 për garën në maxhoritar dhe në atë në proporcional. Pika e dytë ishte e lidhur me përdorimin e listave të hapura dhe me ruajtjen e pragut aktual të hyrjes në parlament: 2.5% për partitë dhe 4% për koalicionet.
Propozimet për variantin e dytë, pra sistemin proporcional të pastër janë: Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të cilët zgjidhen nga listat shumemërore të partive dhe /ose koalicioneve të partive sipas renditjes, lista të hapura dhe mosndryshim të pragut aktual të hyrjes në parlament: 2.5% për partitë dhe 4% për koalicionet.
Propozimet e partive të vogla për sistemin ekzistues janë:
Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona një-emërore me numër të përafërt zgjedhësish. 40 deputetë zgjidhen nga listat shumemërore të partive dhe/ose koalicioneve të partive sipas renditjes në to.
Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve. Partitë që marrin më pak se 2.5 për qind dhe koalicionet e partive që marrin më pak se 4 për qind të votave të vlefshme në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve, nuk përfitojnë nga listat shumemërore përkatëse.
11 Mars 2008