PDU, Idrizi: Rehabilitim shtëpisë dhe varrit të Tahsinit
Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, deputeti Shpëtim Idrizi, vlerësoi dje në sallën e Kuvendit projektbuxhetin 2010 dhe deklaroi votën e tij pro ndaj këtij projekti. Idrizi tha se në këtë projekt do të gjejnë vend disa projekte të cilat PDU i ka në programin e saj. “Qeveria është treguar realiste në parashikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Totali i të ardhurave parashikohet në nivelin e 360.9 miliardë lekëve, me një rritje prej 10.6% kundrejt vitit 2009, shifër kjo realiste, po të kemi parasysh pritshmërinë e inflacionit në nivel 3% dhe rritjes ekonomike 6%. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit parashikohen të jenë 410.72 miliardë lekë apo me një rritje 2.4% në krahasim me buxhetin suplementar të vitit 2009. Këto shpenzime do të arrijnë në 32.1% të PPB-së”, - deklaroi Idrizi. Më tej, ai theksoi se qeveria shqiptare duhet të këmbëngulë në realizimin e dy projekteve, për rehabilitimin e shtëpisë së Hasan Tahsinit, si edhe për realizimin e një varreze për të vdekurit në fshatin Kllogjer në vitin 1944, gjatë dëbimit të popullsisë çame. Projekti i parë ka gjetur mbështetjen e qeverisë, sipas Idrizit, ndërsa i dyti pret ende një përgjigje.