E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përjashton idenë e Shqipërisë së Madhe

Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk do to prishë ekuilibrat në Ballkan. Kryeministri Sali Berisha ka mohuar për të disatën herë, se shqiptarët dhe kosovarët mendojnë për krijimin e Shqipërisë së Madhe, pra bashkimit të dy vendeve. Berisha është shprehur i sigurt se, që në vitin 1991 ai ka parë një ide të kosovarëve për një shtet të tyre dhe asnjë prej dy vendeve, pra as Shqipëria dhe as Kosova, nuk kanë idenë e Shqipërisë së Madhe. “Që në vitin 1991 unë kam parë një ide të kosovarëve për një shtet të tyre dhe absolutisht, as ata dhe as ne, nuk e kemi idenë e Shqipërisë së Madhe”,- u shpreh kryeministri Berisha, gjatë një intervistë dhënë për gazetën “Wall Street Journal”, gjatë qëndrimit në Davos të Zvicrës. I pyetur nëse ka ndonjë ide për të ashtuquajturën “Shqipëria e Madhe”, Berisha është përgjigjur duke marrë si shembull rënien e Murit të Berlinit, ku shumë gjermanë nga ana Lindore kaluan në Gjermaninë Perëndimore dhe nuk dëshironin të ktheheshin në vendin e tyre, ndërsa kur u depërtuan kosovarët gjatë luftës në Kosovë dhe erdhën në Shqipëri, ata pas një jave u kthyen në vendin e tyre. Duke dhënë një përgjigje të tillë dhe duke mohuar ekzistencën e idesë së krijimit të Shqipërisë së Madhe, kryeministri shqiptar Berisha i ka dhënë fund të hamendësimeve të politikanëve dhe analistëve filoserbë, të cilët kanë përdorur alibinë e Shqipërisë së Madhe, si një mjet, për të bindur faktorin ndërkombëtar në rrezikun që i kanoset stabilitetit në Ballkan nga një krijimi i një shteti të dytë shqiptar.
Pavarësisë e Kosovës
Gjatë intervistës, kryeministri Berisha ka pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës, “e cila do të bëhet në një kohë të shpejtë, do të ketë një reagim jo të mirë të Serbisë”. Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare tha se, vendet e rajonit do të reagojnë mirë, pasi e dinë se pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë për stabilitetin e rajonit. “Pavarësia do të ketë gjithashtu një efekt pozitiv edhe për shkakun se do të çojë në një zgjidhje të shpejtë të tranzicionit nacionalist në Serbi. Sa më shpejt të shpallet pavarësia në Kosovë, aq më shpejt Serbia do të lërë pas të shkuarën e saj të hidhur dhe do të shohë drejt një të ardhmeje integruese në Evropë”,- tha Kryeministri. Ndërkohë, i pyetur nëse ekziston mundësia që të ketë dhunë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, Berisha nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, duke theksuar se, “nuk e përjashtoj mundësinë që Beogradi të manipulojë disa grupe të caktuara serbe”. Gjithsesi, ai ka theksuar më tej se, autoritetet e huaja që janë në Kosovë i kanë idetë shumë të qarta dhe do të sigurojnë paqen dhe stabilitetin e kosovarëve dhe pakicave serbe që jetojnë në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›