E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, manual për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

Socialistët në 2009, do të praktikojnë fushatën “derë më derë” për të bindur votuesit të votojnë majtas
Fitorja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, konsiderohet tashmë nga socialistët si alternativë e vetme për t’i dhënë fund asaj që ata shpeshherë e kanë konsideruar si keqqeverisje të djathtë. Për këtë arsye, krahas përgatitjeve ideore dhe programore, socialistët kanë nisur dhe përgatitjet e tyre për të krijuar një infrastrukturë organizimi model, ku jo vetëm krerët e organizatave, por edhe anëtarët e thjeshtë të partisë të angazhohen që tani për të arritur këtë objektiv. Në funksion të këtij qëllimi, Partia Socialiste ka shpërndarë në të gjitha organizatat e saj në bazë një manual elektoral, me anë të të cilit përpiqet që të instruktojë anëtarësinë e partisë për fushatën e ardhshme elektorale. Manuali elektoral është një mjet i vlefshëm për PS në kryerjen e aktivitetit të tyre elektoral. PS, synon të krijojë një praktikë të re pune në përgatitjen dhe menaxhimin e fushatave elektorale, përmes së cilës, anëtarët dhe drejtuesit e organizatave socialiste të jenë pro-aktivë dhe vetëveprues si në periudhën zgjedhore e gjatë fushatave, ashtu edhe në të gjithë periudhën midis tyre. Manuali është hartuar në dy pjesë, ku në pjesën e parë ai fokusohet në mënyrën se si duhet të punojë një organizatë partie, për të parapërgatitur fushatën elektorale shumë kohë para fillimit të saj dhe në pjesën e dytë, ai përpiqet të shpjegojë se si duhet të punojë organizata gjatë fushatës. Ndërkohë që, për pjesën e dytë të manualit gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, PS do të përgatisë dhe udhëzues specifikë në përputhje me realitetin konkret, në zona të caktuara dhe në zbatim të detyrave specifike. Në 5 krerët e tij, manuali përpiqet të informojë anëtarësinë e partisë për mjetet që duhet të ketë një organizatë në dispozicion gjatë fushatës dhe deri tek udhëzimet për mënyrën se si duhet të evidentohen votuesit, puna që duhet kryer me votuesit e lëkundur, mënyra se si duhet të trajnohen kandidatët për anëtarë të grupeve të numërimit apo ata të qendrave të votimit. Përsa i përket mjeteve që duhet të ketë një organizatë në dispozicion, në manual përcaktohen si të domosdoshme pasja e një harte elektorale të zonës, një hartë të detajuar të qendrës së votimit që mbulon organizata, listat e zgjedhjeve të fundit, rezultatet e të gjitha zgjedhjeve të zhvilluara që nga viti 2000 e këtej, lista e anëtarëve të partisë dhe lista e mbështetësve të saj. Një nga detyrat kryesore që përcaktohet në këtë manual, është puna për identifikimin e votuesve dhe problemeve kryesore të zonës. Më konkretisht, anëtarët e partisë do të bëjnë një shpërndarje kapilare në të gjitha lagjet, për të identifikuar votuesit e lëkundur dhe për t’i bindur ata që të votojnë PS-në dhe kandidatin e saj. Gjithashtu, në këtë manual përcaktohet edhe mënyra se si anëtarët e partisë do të bëjnë fushatë elektorale derë më derë, për të bindur votuesit që jo vetëm të dalin në zgjedhje, por edhe të votojnë majtas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›